2017-11-26 12:42:00

Papa u lut në Shën Marinë e Madhe për shtegtimin në Azi


Papa Françesku, sipas traditës në prag të çdo shtegtimi ndërkombëtar, shkoi mbrëmë për një vizitë private në Bazilikën  e Shën Marisë së Madhe. U gjunjëzua në lutje para ikonës së Zojës  “Salus Populi Romani”, së cilës ia besoi vizitën e tij në Mianmar e Bangladesh.

Qëllimi i shtegtimit

“Dashuri e paqe”. “Harmoni e Paqe”. Qëllimi i këtij shtegtimi pasqyrohet në logot e në motot e tij. Duke shikuar përtej varianteve grafike, që i karakterizojnë, një zemër e një pëllumb, të duket sikur në to rreh vetë zemra e shtegtarit të madh, që shkon të takojë viset e njerëzit e atyre periferive, të cilat i vë gjithnjë në plan të parë.

Periferitë, në qendër 

Dy vende pranë e pranë, e megjithatë, krejt të ndryshëm, duke u nisur nga feja e shumicës e nga përpjestimi numerik i popullsisë, në krahasim me shtrirjen e territoreve - për të cilat ai bengalez është i gjashti ndërmjet viseve më të populluara të planetit. Por edhe dy vende, që i bashkon kalimi i një Njeriu, i cili prej vitesh, me shtegtimet e tij, po e nxit Perëndimin e mbushur përplot me vetveten, t’i sjellë sytë drejt “periferive” gjeografike  e që aty, të nxjerrë në skenë - “en vivo”, do të thoshte Françesku - situata që, një farë politike, i shikon me indiferencë të plotë.

Dy botë, për paqen

Histori e kronika të ndryshme, pra, por shtegtimi që fillon sonte në orën 21.40, me nisjen e avionit papnor nga Fiumicino, ka një qëllim thellësisht të përbashkët. Paqen. E për paqen luten Kishat e vogla birmane e bengaleze, në pritje gazmore të Kryebariut të tyre, që  ka përsëritur disa herë, në vigjilje të shtegtimit të gjatë, se po e pret me padurim çastin kur do të jetë mes tyre, me ta. Paqe për Mianmarin budist, në tranzicion të ngadalshëm drejt demokracisë e me çështjen e hapur të refugjatëve rohingya, të cilën marrëveshja për riatdhesim, nënshkruar nga  Jangoni e Daka, mund ta çojë më në fund drejt zgjidhjes. E paqe për Bangladeshin mysliman, prej vitesh i etiketuar si një nga vendet më të varfra të botës, por në të cilin - falë posaçërisht reflektorëve të ndezur nga arritja e afërt e Papës - zbulohen meritat e një progresi domethënës në treguesit e zhvillimit njerëzor, sidomos në fushën e shekullarizimit.

Takimet në Mianmar

Françesku do të kalojë rreth tri ditë në të dy vendet. Pas zbritjes në Jangon nesër, në orën 13.30 me orën vendase, takimet zyrtare në Mianmar do të nisin të martën, me zhvendosjen në kryeqytetin Nay Pyi Taw (një milion banorë) për takimin e Papës me presidentin Htin Kyaw dhe me këshilltaren e Shtetit e ministren e Punëve të Jashtme, Çmim Nobel për Paqe, Aung San Suu Kyi. Në vijim, shkëmbimet e fjalëve të rastit. 

Të mërkurën 29, përsëri në Jangon, Françesku do të kremtojë Meshën në një hipodrom të lashtë kolonial, sot supermerkat sportiv, për të hyrë, pastaj, në atmosferën e Kaba Aye paya, “Pagodën e paqes botërore”, ku do të takohet me Komitetin e 47 murgjërve budistë e, më pas, përsëri në realitetet kishtare lokale, së bashku me ipeshkvijtë birmanë. Të enjten 30, një kremtim tjetër eukaristik në St Mary’s Catthedral të Jangonit. Protagonistë, të rinjtë  birmanë.

Etapa e Bangladeshit

Pastaj, dy orë e gjysëm fluturim drejt perëndimit, për të arritur në Bangladesh në orën 15 me atë lokale.  Etapa e dytë do të hapet menjëherë me takimet protokollare në kryeqytetin Daka. Pas homazheve në Memorialin e Martirëve të Atdheut dhe në Memorialin e themeluesit të Kombit, Françesku do të takohet privatisht, sipas skemës së zakonshme, me presidentin Abdul Hamid, për të marrë, më pas, fjalën në takimin me autoritetet politike, civile e diplomatike të vendit. Ditën e mëpasme, 1 dhjetor, Papa do të kryesojë Meshën, me shugurimin e 16 meshtarëve, do të presë për vizitë, në nunciaturë, kryeministrin bengalez, për ta përfunduar ditën në takim me ipeshkvijtë vendas e mijëra njerëz, që priten në takimin ndërfetar dhe ekumenik për paqen. Dita e fundit, 2 dhjetor, do të hapet me një nga takimet më të pritura: vizitën që do t’u bëjë Françesku të sëmurëve të “Shtëpisë Nënë Tereza”, në Tejgaon, për të vijuar me përqafimin e rregulltareve e rregulltarëve të Bangladeshit. Takimi i fundit, ai me të rinjtë. Edhe këtu, si në Mianmar, hapësira e fundit  e dëshiruar nga Papa do të jetë për ata, që do të kenë mundësi t’i japin limfë të re asaj “paqeje” që, prej ditësh shpaloset mbi zemrën e pëllumit!








All the contents on this site are copyrighted ©.