2017-11-26 00:00:00

Kardinali Parolin: Mianmar e Bangladesh, dy Kisha të vogla, farë e paqes


Sonte, në orën 21.40, Papa Françesku do të rinisë, nga Aeroporti i Fiumicinos, shtegtimin e tij nëpër botë e, të hënën, më 27 nëntor, do të arrijë për herë të tretë në Azi, duke zbritur në Yangon, kryeqytet i Mianmarit. Do të jetë Papa i parë që viziton ish-Birmaninë. Tri ditë më pas, të enjten, më 30, do të zhvendoset në Bangaldeshin fqinjë. Njëri, vend me shumicë budiste, tjetri pothuajse krejtësisht mysliman, në të cilin katolikët janë pakicë, por e domosdoshme për pajtimin e vërtetë kombëtar. Flasim me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, që, si zakonisht, do ta shoqërojë Papën në shtegtimin e tij apostolik:

Po, është e vërtetë. Në këto dy vende bashkësia katolike përbën pakicën, brenda shumicave përkatësisht myslimane, në Bangladesh e budiste, në Mianmar. Është logjike që vëmendja, interesimi i Papës në këtë shtegtim, të shkojë së pari tek bashkësia e krishterë, për t’i shprehur afërsinë, mbështetjen e, njëkohësisht, besoj edhe se Papa do ta inkurajojë këtë bashkësi, do ta përforcojë në fe, që të jetë prani paqeje, pajtimi e solidariteti në gjirin e shoqërisë, domethënë, të punojë, mbi të gjitha, për të mirën e përbashkët e të mos jetë e huaj për realitetin e vendeve të veta, por, më në fund, e integruar dhe e aftë për të dhënë kontributin e vet në zhvillimin civil e paqësor të këtyre vendeve.

Në Azi, për fat të keq, po fryjnë përsëri erëra lufte, me tensionet ndërmjet Koresë së Veriut e SHBA-ve. Besoj se mund të presim nga Papa një ftesë të re për të kërkuar gjithnjë udhën e  dialogut?

Besoj se po. Ati i Shenjtë shumë herë ka ftuar për kërkimin e rrugës së dialogut në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese. Besoj se fakti që gjindet në Azi, shumë pranë zonës së krizës, që aktualisht shqetëson të gjithë botën, do të jetë rast për ta përsëritur këtë thirrje. Papa  është përherë i gatshëm të japë gjithë ndihmën e tij e të Selisë së Shenjtë për t’i përballuar e për t’i zgjidhur këto probleme përmes dialogut, bisedimeve e takimit. Besoj se edhe një herë, në këtë rrethanë, do ta përsërisë këtë thirrje, i vetëdijshëm se pa këto mjete, nuk është e mundur të zgjidhet me rrugë paqësore një situatë kaq shqetësuese e duke e ditur se, siç e kanë përsëritur disa herë edhe Papët paraardhës, asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka, me luftën! Posaçërisht tani, që bëhet fjalë për luftë atomike.   

Në të dyja vendet ka refugjatë, që jetojnë në kushte çnjerëzore. Do t’u kërkojë Papa qeverive dhe bashkësisë ndërkombëtare ta zgjidhë këtë dramë humanitare?

Po, sigurisht. Dihet mirë se Papa është treguar shumë i vëmendshëm ndaj gjendjes së këtyre refugjatëve. Mjafton të mendojmë thirrjen e tij gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, më 24 maj 2015. Natyrisht thirrja e Papës nënvizon me forcë mirëpritjen e refugjatëve, duke  vlerësuar e duke falënderuar vendet, që kujdesen për këto njerëz të ikur nga trojet e tyre, të cilët kanë nevojë për ndihmë e asistencë, sepse tejet të ligshtë e të vuajtur. Pastaj thirrja e Papës i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare, për t’u ofruar gjithë ndihmën humanitare të mundshme përballë kësaj drame. Besoj, pastaj,  se thirrja e tij do të jetë edhe ftesë për zgjidhjen afatgjatë të këtyre problemeve, posaçërisht të problemit që ka të bëjë me Shtetin Rakhine në Mianmar dhe me refugjatët, që jetojnë në këto situata. Zgjidhje e qëndrueshme, që kërkohet nga ana e të gjithë aktorëve, të gjithë protagonistëve, me frymë humanitare, duke pasur mirë parasysh edhe rëndësinë që ka për njerëzit, për popullsinë, ta ketë një kombësi e duke e ditur se vetëm kjo rrugëzgjidhje afatgjatë mund t’i krijojë stabilitet, paqe e zhvillim kësaj zone, si dhe të gjitha zonave në konflikt.

Në Bangladesh të varfërit janë më se një e treta e popullsisë: vuajnë edhe nga përmbytjet, pasojë e ndryshimeve klimaterike. Këtë  denoncon Françesku në “Lëvduar qofsh”…

Besoj se në “Lëvduar qofsh”, Papa hedh dritë mbi lidhjen ndërmjet ndryshimeve klimaterike dhe vartësisë, në kuptimin se janë të varfërit ata, që pësojnë më shumë nga ndryshimet klimaterike. E vendet më të varfëra janë edhe më të ekspozuara përballë këtyre fenomeneve. Kjo ndodh edhe në Bangladesh, ku varfëria lidhet ngushtë me ndryshimet klimaterike dhe zvetënimin e mjedisit, edhe pse në këtë rastin e fundit, besoj se ia vlen të ngulmosh, ose, së paku, të kujtosh se janë bërë hapa të ndjeshme përpara, si përsa i takon kujdesit për mjedisin, gjë që është pranuar edhe nga programi i Kombeve të Bashkuara për ambientin, ashtu edhe për luftën kundër varfërisë. Miliona njerëz kanë dalë nga situata e mjerimit. Kjo e inkurajon vendin të shkojë përpara në këtë drejtim, pa harruar se duhet akoma edhe ndihma e Bashkësisë ndërkombëtare, e cila nuk mund të heqë dorë nga këto situata por - pikërisht - duhet të jetë atje për t’i mbështetur, në mënyrë që jo vetëm të dilet nga situata e varfërisë por, njëkohësisht, të vijojë kujdesi për ambientin.

 Mianmari është vend 90% budist e Bangladeshi, mysliman. Ç’ do të propozojë Papa gjatë takimeve me liderët fetarë lokalë?

 Pikërisht atë, që ka propozuar gjithnjë në vendet me shumë besime, shumë grupe fetare, domethënë, dialogun ndërfetar, si formë e takimit ndërmjet këtyre feve dhe bashkëpunimit për të mirën e përbashkët të shoqërisë. Ideja se fetë mund të japin një kontribut të çmuar për paqen, për zhvillimin, pajtimin dhe bashkëjetesën paqësore ndërmjet popullsive e brenda vendeve, mund të realizohet, nëse bashkohen për të punuar krah për krah në këtë drejtim.








All the contents on this site are copyrighted ©.