2017-11-25 16:47:00

Papa: procesi i ri martesor, pranë atyre që janë të plagosur


“Qëllimi i normativës së re martesore është ngushëllimi baritor”. Këtë pohon Papa Françesku, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në “Kursin e formimit për klerikë e laikë”, organizuar nga Rota Romana me temë “Procesi i ri martesor dhe procedura Super Rato”. Normativa e re – shton Ati i Shenjtë - është shprehje e Kishës, në gjendje ta mirëpresë e ta mjekojë të plagosurin në mënyra të ndryshme nga jeta e, njëkohësisht, thirrje për t’u impenjuar në mbrojtje të shenjtërisë së jetës. Më pas, porosia e Papës:

“Në shërbimin tuaj, jeni të thirrur për të qenë pranë vetmisë e vuajtjes së besimtarëve, të cilët presin drejtësi kishtare dhe ndihmë kompetente reale, që të mund të rigjejnë paqen e ndërgjegjeve të tyre dhe vullnetin e Zotit për ripranimin në Eukaristi”.

Të rifitohet praktika sinodale

Përballë çështjeve më të vështira, që kanë të bëjnë me misionin ungjillëzues e me shpëtimin e shpirtrave, është e rëndësishme që Kisha ta rifitojë gjithnjë më shumë praktikën sinodale të bashkësisë së parë të Jeruzalemit:

“Fryma sinodale dhe ngushëllimi baritor duhet të bëhen format e veprimit tuaj në Kishë, posaçërisht në këtë fushë delikate, që është familja, në kërkim të së vërtetës mbi gjendjen bashkëshortore të çiftit. Lidhur me këtë sjellje, secili nga ju të jetë bashkëpunëtor besnik i ipeshkvit të vet që, sipas normave të reja, ka një rol vendimtar, posaçërisht në procesin e shkurtër, sepse ai është gjykatës i Kishës së veçantë”.

Procesi i shkurtër nuk është opcion

Në normativën e re  anulohet vendimi i dyfishtë e nis zbatimi i  “procesit të shkurtër”, që vë në qendër figurën dhe rolin e ipeshkvit dioqezan, ose të heparkut, në rastin e Kishave lindore, si gjykatës i çështjeve. Ipeshkvi dioqezan - saktësoi Papa Françesku - është gjykatës personal e unik në procesin e shkurtër. Ky proces -  kujtoi akoma Papa – nuk është opcion, që ipeshkvi dioqezan mund ta zgjedhë, ose jo: është detyrim, i cili buron nga shugurimi e misioni, që mori mbi vete.

Mëshirë,  afërsi, gatishmëri

Figura e ipeshkvit dioqezan është “arkitrau”, parimi kushtetues dhe elementi dallues i gjithë “procesit brevior” , apo të shkurtër. Ai - shtoi Papa - është i vetmi kompetent në të trija fazat e procesit të shkurtër: kërkesa, që i drejtohet gjithnjë ipeshkvit dioqezan, hetimi e vendimi. Një nga kriteret themelore është “mëshira”. Një themel i tillë - pohoi Papa - kërkon që ipeshkvi dioqezan ta vërë sa më parë në jetë procesin e shkurtër. “Afërsia dhe shërbimi pa shpërblim janë dy margaritarët, për të cilët kanë shumë nevojë të varfërit, që Kisha i do mbi gjithçka”.

Gjithnjë të pranishme, dy letrat apostolike në formën e “Motu Proprio”.   

 Papa Françesku saktësoi, sot, në formë diskutimi, por njëkohësisht edhe zyrtare, lidhjen absolute të reformës së anulimit të martesave dhe të Gjykatave kishtare, miratuar prej tij, me dy “Motu Proprio” të kohëve të fundit: Mitis Iudex Dominus Iesus dhe Mitis et misericors Iesus që, kujtoi,  buruan në rrethana sinodale, janë shprehje e metodës sinodale dhe arritje e një udhe serioze sinodale.

“Mitis Iudex Dominus Iesus” lidhet me reformën e procesit kanonik për çështjet e deklaratës së anulimit të martesës në kodin e së drejtës kanonike. Përcakton dispozitat - lexohet në këtë letër apostolike - jo për favorizimin e anulimit të martesave, por për shpejtimin e procesve, me qëllim që, për shkak të përfundimit të gjykimit, zemra e besimtarëve, të cilët presin sqarimin e gjendjes së tyre, të mos mbetet e zhytyr për shumë kohë në errësirën e dyshimit.

“Mitis et misericors Iesus” mbi reformën e procesit kanonik, lidhet me çështjen e deklarimit të anulimit të martesës në kodin e kanuneve të Kishave Lindore. “Sinodet e Kishave lindore, që duhet të nxiten kryesisht nga dëshira apostolike për të mbledhur besimtarët e humbur - duhet ta kenë mirë parasysh detyrën e respektimit absolut të së drejtës së ipeshkvijve për të ushtruar pushtetin gjyqësor në Kishën e  tyre të veçantë.








All the contents on this site are copyrighted ©.