2017-11-25 05:30:00

Shenjtorët e javës 26 nëntor - 3 dhjetor


E Diel 26 nëntor, Kisha katolike kremton solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbret të Gjithësisë, e gjithnjë më 26 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Sirikun papë; Leonardin nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe Silvestrin, abat, themelues i Silvestrinëve.

Duke e njohur Jezusin si mbret, besojmë se me anë të Tij Hyji ka dëftuar në mënyrë të plotë se realizimi i njeriut mund të plotësohet vetëm nëse i bindemi vullnetit të Tij Hyjnor. Nuk ka asnjë veprim njerëzor që të mos i nënshtrohet gjykimit të Hyjit, nuk ka hapësirë në histori që mund të shmangë marrëdhënien me Hyjin nëpërmjet Jezusit. Doktrina mbi zotërimin e Krishti na mëson edhe një herë se jeta për të cilën jemi thirrur është e njëjta jetë që ka jetuar Jezu Krishti: jeta në shërbim të vëllezërve. Kur, në Ungjill, flet për fundin e botës, Jezusi nuk nënvizon aq atë që do të ndodhë në fund të fundit. Thekson kryesisht se kush dëshiron ta ndjekë pas, duhet ta jetojë çdo ditë të jetës, si të ishte e fundmja.

Të hënën më 27 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Virgjilin, ipeshkëv i Salcburgut. Liturgjia e ditës na kujton se kumtimi ynë i krishterë bëhet i besueshëm, kur e dëshmojmë Krishtin në çdo çast të jetës sonë. Dëshmi, jo fjalë, kërkon nga ne Zoti që vjen!

Të martën më 28 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Jakun e Markeve, meshtar françeskan. Në Ungjillin e ditës, Jezusi na mëson të përgatitemi për ta pranuar farën e Jetës Hyjnore. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë njerëzore, nuk i mungojnë njeriut, që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.

Po më 28 nëntor bie përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane më 28 nëntor 1912. Shqipëria e të gjithë shqiptarët kudo në botë janë në festë për këtë ngjarje të madh kombëtare e shoqërore, me mirënjohje nga Zotit dhe të të parëve, për këtë dhuratë tejet të çmuar, që është pavarësia. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë popullin Shqiptar!

Të mërkurën më 29 nëntor, kalendari përkujton shën Saturninin, martir, shën Frederikun e të Lumin Dionizi të Lindjes së Krishtit. Liturgjia e ditës na kujton thirrjen e psalmistit: Eja o Zot Jezus! T’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon!

Të enjten më 30 nëntor, kalendari kishtar përkujton festën e shën Andreut, apostull. Sipas ungjilltarëve, Andreu është i pari i thirrur nga Jezusi, së bashku me të vëllain, Simon Pjetrin. E kujtojmë se shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre, që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.

Të premten më 1 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Eligjin, ipeshkëv i Lionit e  shën Naumin, profet. Liturgjia e ditës që na kujton se Jezusi vjen për çdo njeri, për çdo popull: të përgatitemi, prandaj, për ta takuar me gëzim.

Të shtunën më 2 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Bibianën, matronë romake, shën Pimenin, martir e shën Silvestrin, papë. Liturgjia e ditës na sjell thirrjen e Psalmistit drejtuar Hyjit: ‘Eja, o Zot, mbret i drejtësisë e i paqes”.

Të dielën e ardhshme më 3 dhjetor, Kisha do të kremtojë të dielën e Parë të kohës liturgjike të Ardhjes, ciklit të dytë ‘B’, sipas kalendarit kishtar. Gjithnjë më 3 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Françesk Saverin, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor i misioneve. Me këtë të Diele të Parë, pra, fillojmë kohën liturgjike të Ardhjes, e kështu fillojmë udhën shpirtërore, pra, ecjen tonë drejt takimit me Jezu Krishtin që vjen. E Liturgjia e së Dielës së I të Ardhjes na thërret t’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë! Jezusi, për tri herë, i përsërit secilit thirrjen “Rrini zgjuar” e “rrini gati”, si një këshillë, si ftesë, si një urdhër, por edhe si paralajmërim i një ati, që shqetësohet për të gjithë bijtë e vet, që të jenë të kujdesshëm e të mos dorëzohen para lodhjes, para  vështirësive e shqetësimeve të kësaj kohe, që kalon shpejt. Për këtë t’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon e pengon për të takuar Zotin në jetën tonë e t’i themi: eja o Zot Jezus








All the contents on this site are copyrighted ©.