2017-11-23 06:54:00

Me 23 nëntor kalendari kujton Papën shën Klementi I romak e martir


Me 23 nëntor kalendari kujton Papën shën Klementi I romak e martir. Kisha kremton, sot më 23 nëntor, Shën Klementin I Romak, Pasardhës i katërt i Shën Pjetrit, i nderuar që në shekujt e parë të krishterimit me titullin e martirit. Klementi I, papë e martir romak, është ndër Etërit e mëdhenj të Kishës. Klementi, është ipeshkvi 4-të i Romës, pas Shën Pjetrit. Ai kishte njohur apostujt, kumtuar së bashku me ta Ungjillin e e kishte ende ndër veshë jehonën e predikimeve të tyre.

Për Papën Klementi I romak, por me origjinë hebraike, flasin shumë autorë të lashtë. Prej tyre mësojmë se pasi themeloi e përforcoi Kishën e Romës, Shën Pjetri u martirizua e vendin e tij e zuri Lini. Pas Linit u zgjodh papë Anakleti. Pas tij, episkopati i Romës iu besua Klementit, i cili u bë kështu ipeshkvi i katërt i Qytetit të Amshuar, pas Shën Pjetrit. Ai kishte njohur apostujt, kishte kumtuar së bashku me ta Ungjillin e e kishte ende ndër veshë jehonën e predikimeve të tyre, të cilën ia përcolli pasardhësve që u ulën pas tij në fronin e Shën Pjetrit.

Në Letrën e tij drejtuar korintianëve, Shën Klementi I, papë na ofron një dokument që përmban një reflektim ndriçues mbi identitetin e Kishës dhe mbi rolin e laikëve. Nën Papën Klementin Romak, me që bashkësia e vëllezërve të Korintit qe tronditur thellë nga përçarjet, Kisha e Romës i drejtoi një Letër, në të cilën prekeshin temat aktuale – atëherë e sot – të identitetit të Kishës e të misionit të saj. Dokumenti i nxiste besimtarët të ishin të përvujtë e ta donin njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore. Madje në Letër ndeshim për herë të parë fjalën ‘laik’, apo ‘shekullar’, që në letërsinë e krishterë do të thotë ‘anëtar i popullit të Zotit’. Në këtë letër Shën Klementi shpjegon se në Kishë të gjithë, të bashkuar në mënyrë të pandashme, janë gjymtyrë të njëri-tjetrit. Po mos të harrojmë se “dallimi ndërmjet laikut e hierarkisë nuk do të thotë kurrsesi kundërvënie, është thjesht lidhje organike e një trupi, e një organizmi, me funksione të ndryshme. Kisha nuk është vend pështjellimesh e anarkie, ku kushdo mund të bëjë si të dojë e kur të dojë: secili në këtë organizëm ushtron detyrën e tij, me një strukturë të mirëorganizuar, sipas thirrjes që ka marrë” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007)

Para së gjithash – u shkruan Klementi korintianëve, në përpjekjen për t’i pajtuar – është kumtimi i gëzueshëm i hirit, që shëlbon. Ky kumtim e mbush me gëzim jetën tonë e i jep siguri veprimtarisë sonë: Zoti na paraprin përherë me mirësinë e tij e mirësia e Zotit është gjithnjë shumë më e madhe se të gjitha mëkatet tona. Por ne duhet të angazhohemi e të punojmë në mënyrë koherente me dhuratën, që kemi marrë e t’i përgjigjemi kumtimit të shëlbimit, duke ecur me fisnikëri e guxim në rrugën e pendimit, shkruan Shën Klementi, duke nënvizuar edhe idealin e tij për Kishën, mbledhur nga i vetmi Shpirt i hirit, që i jep frymë gjymtyrëve të ndryshme të Krishtit.

Klementi shpjegon qartë doktrinën e vazhdimësisë apostolike, duke nënvizuar se normat që e rregullojnë, burojnë nga vetë Zoti. Gjithçka vjen nga vullneti i Zotit – shkruan Shën Klementi. E këtu theksohet me forcë se Kisha ka strukturë sakramentore e jo strukturë politike: “Kisha mbi të gjitha është dhuratë e Hyjit e jo krijesë e jona, prandaj kjo strukturë sakramentore nuk garanton vetëm rendin e zakonshëm, por edhe përparësinë e dhuratës së Zotit, për të cilën kemi nevojë të gjithë”. ” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007)

E Klementi I papë e përfundon Letrën e tij me një lutje të frymëzuar, lutja më e lashtë, pas teksteve të Besëlidhjes së Re – për institucionet politike, menjëherë pas persekutimit të të krishterëve. Na kujton sërish, kështu, se duhet të lutemi për ata që na persekutojnë, ashtu siç bëri Jezusi mbi Kryq. Kjo lutje i prin në rrjedhë shekujsh sjelljes së të krishterëve ndaj politikës e shtetit: “Duke u lutur për autoritetet, Klementi njeh ligjshmërinë e institucioneve politike e njëkohësisht shqetësohet për to, sepse dëshiron që këto institucione ta ushtrojnë pushtetin që u ka dhënë Zoti në paqe e përdëllim (61,2).Qezari nuk është gjithçka. Mbi të lartohet një sovranitet tjetër, zanafilla dhe thelbi i të cilit nuk janë të kësaj bote, por të botës qiellore: është kjo e Vërteta e Zotit, që kërkon edhe nga shteti të drejtën të dëgjohet”. ” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007).
Ende sot Bazilika e Shën Klementit I romak, papë e martir është një nga vendet më të vizituara në Romë. E ngritur në shekullin IV në Çelio, mbi rrënojat e një ndërtese më të lashtë dhe e rindërtuar disa herë, Kisha ka tri navata, në njërën nga të cilat qenë varrosur reliket e Shën Klementit I, të mbartura në Romë nga Krimeja në vitin 868 nga shenjtorët Qirilli e Metodi. Sipas gojëdhënës, Klementi I u mbyt në Krime, vend ku ishte internuar nga Nerva, me një spirancë të varur në qafë
Në Bazilikën e Shenjtit mund të shijohen akoma afresket e realizuara në vitin 1084, kushtuar jetës së Papës, të pajisura me shpjegime, që janë dokumentet e para të gjuhës vulgare italiane.








All the contents on this site are copyrighted ©.