2017-11-20 16:42:00

Papa, policëve: puna juaj e nënvlerësuar, por përdorni mëshirën


 Ai i Policisë Rrugore dhe Hekurudhore, është shërbim “shpesh jo i vlerësuar si duhet”, por kërkon “ndjenjë të thellë të detyrës, në shërbim të njeriut e të së mirës së përbashkët”. Kështu u tha Papa Françesku agjentëve të dy Armëve të Policisë, të cilët i priti sot në Vatikan.

         Fjalë vlerësimi dhe inkurajimi për ata që punojnë në rrugë e në hekurudha, në një realitet gjithnjë e më të ndërlikuar e më të trazuar, në një botë, ku zhvendosjet janë bërë të zakonshme:

         “Prandaj, lëvizja efikase dhe e sigurtë është bërë kërkesë parësore dhe e domosdoshme për një shoqëri, që dëshiron të ecë me të njëjtin hap me zhvillimin e t’u sigurojë mirëqënie anëtarëve të saj”.

         Papa nuk fshehu “mungesat e sistemit rrugor, që ka nevojë për investime të mëdha për modernizimin dhe sigurinë e tij”. Ati i Shenjtë kritikoi ndjenjën e paktë të përgjegjësisë të shumë shoferëve:

         “…të cilët, shpesh, duket sikur nuk i kuptojnë pasojat e rënda të çkujdesjes (për shembull, kur e përdorin pa vend celularin) ose të çrregullimeve të tyre”.

         Në bangën e të akuzuarve, shpejtësia dhe gara, që janë kthyer në stil jetese, duke i kthyer shoferët e tjerë në “pengesa”, apo në një lloj “kundërshtari”.

         “…duke i shndërruar rrugët në pista ‘formula uno’ dhe vijën e semaforit në nisjen e ‘Gran Premio’”.

         Sipas Papës Françesku, për të rritur sigurinë në rrugë, nuk mjaftojnë sanksionet:

         “Është e nevojshme një veprimtari edukative, që t’i ndërgjegjësojë shoferët për përgjegjësinë ndaj atyre, që udhëtojnë me ta”.

         Kështu edhe sektori hekurudhor, nënvizoi Ati i Shenjtë, kërkon mirëmbajtje dhe investime strukturore, mungesa e pamjaftueshmëria e të cilave u shkakton probleme miliona udhëtarëve e jo rrallë, shkakton aksidente me viktima.

         Prandaj, Papa i këshilloi të gjithë policët rrugorë dhe hekurudhorë, si edhe drejtuesit e tyre, të jenë të aftë profesionalisht, por edhe të sillen si duhet, duke mos përfituar kurrë nga pushteti e, duke i trajtuar njerëzit me humanitet.

         “Si në veprimtarinë e kontrollit, ashtu edhe në atë të gjobimit, është e rëndësishme t’i bësohet përdorimit të asaj force, që nuk degjeneron kurrë në dhunë”.

         Nevojitet urti e madhe dhe vetëkontroll, nënvizoi Papa, sidomos kur polici shihet me dyshim, sikur të ishte armik. Kjo ndodh sidomos në ato zona, ku popullsia i kundërvihet shtetit dhe njerëzve, që e përfaqësojnë.

         Prandaj, Françesku sugjeroi një “stil mëshire”, që nuk është sinonim me dobësinë e as kërkon të mos përdoret forca:

         “Mëshirë do të thotë të jeni të aftë të mos e identifikoni fajtorin me fajin, që ka bërë, sepse i bëni dëm atij dhe i krijoni një ndjenjë revolte”.

         E sidomos, përdoreni mëshirën kur shihni brishtësi e dhimbje, jo vetëm në rastet e aksidenteve, por edhe në takimin me nevojtarët, nguli këmbë Bergoglio.

         Së fundi, duke përmendur Shën Mikelin Kryeengjëll, pajtor i Policisë rrugore dhe hekurudhore, Papa Françesku nënvizoi se lufta ndërmjet së mirës e së keqes, pavarësisht nëse njeriu beson ose jo, duhet ta bëjë atë të marrë përsipër përgjegjësinë e vet për t’iu kundërvënë egoizoizmit, padrejtësisë, indiferencës. Puna juaj, tha Ati i Shenjtë, të cilën nuk hezitoj ta quaj “mision”, ju vendos në zemër të shoqërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.