2017-11-20 14:31:00

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kard. Montezemolo, ish-nunc në Tokën Shenjte


Papa shprehu ngushëllimet për vdekjen e kardinalit Andrea Cordero Lanza di Montezemolo, kryeprift nderi i Bazilikës Papnore të Shën Palit jashtë Mureve, që ndërroi jetë dje, në Romë, në moshën 92 vjeçare. Në një telegram drejtuar motrës së kardinalit të ndjerë, markezës Adriana Cordero Lanza di Montezemolo, Françesku nënvizon “admirimin e tij të sinqertë për këtë burrë të nderuar të Kishës, që e jetoi me besnikëri meshtarinë e tij të gjatë e të frytshme si dhe episkopatin, gjithnjë në shërbim të Ungjillit e të Selisë së Shenjtë”.

Papa kujton me mirënjohje veprimtarinë e tij bujare në përfaqësitë papnore ndër vise të ndryshme të botës, ku iu kushtua me urti mbarëvajtjes së popullsive. Si kryeprift e Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve  - pohon në telegram Papa - dha dëshminë e një angazhimi të gjithanshëm, për thellimin e  thirrjes ekumenike të këtij vendi kulti”.

Kujtojmë se Papa Françesku shkoi për ta vizituar në Shtëpinë e Mjekimit “Villa Betania”, në Romë, ku ishte shtruar.

I lindur në Torino, më 27 gusht 1925, Andrea, ende shkollar, mori pjesë, si ushtar vullnetar në luftën për çlirim nga nazistët (1945), në përfundim të së cilës u diplomua në arkitekturë (Romë 1949). Pasi ushtroi për pak kohë profesionin e arkitektit (duke punuar edhe në studion e Pierluigi Nervit - arkitektit, që projektoi e realizoi Sallën e famshme Nervi apo Palit VI, në Vatikan) njëherësh me atë të asistentit të Katedrës së Shkencave të Ndërtimit, Fakulteti i Arkitekturës pranë Universitetit të Romës (1949-1959) vijoi studimet në Universitetin Gregorian, ku u diplomua në Filozofi e më pas edhe në Teologji.

U shugurua meshtar për Dioqezën e Romës më 13 mars 1954. Më 1959 hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Shërbeu në Meksikë, Japoni, në Sekretarinë e Shtetit, në Këshillin për Çështjet Publike.

Më pas, përsëri në nunciatura apostolike: në Papua Guinea, Ishujt Salomone, Honduras, Nikaragua, Uruguai. Më 1990 u emërua delegat apostolik në Jeruzalem e Palestinë. Më pas, nunc në Qipro e delegat apostolik në Jordani, detyrë që e vijoi deri më 1994.

Më 1993, në Jeruzalem, Selia e Shenjtë dhe Shteti i Izraelit “duke kujtuar karakterin e jashtëzakonshëm dhe vlerën universale të Tokës së Shenjtë”, nënshkruan “Marrëveshjen themelore”, që njeh “natyrën unike të marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike dhe popullit hebraik” dhe “procesin historik të pajtimit, të thellimit të mirëkuptimit reciprok e të miqësisë ndërmjet katolikëve e hebrenjve”. Kryeipeshkvi Montezemolo, që u emërua menjëherë nunc i parë apostolik në Izrael, luajti rol të dorës së parë në bisedimet e rastit.

Pas disa detyrave të tjera, shumë të rëndësishme, më 2005 Benedikti XVI e emëroi kryeprift të Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve, ku kryesoi kremtimet e Vitit Paolin (qershor 2008- qershor 2009) dhe bëri kërkime shkencore lidhur me sarkofagun tradicional, që besohej se ishte i Shën Palit, në bazilikën Ostiense. Rezultatet vërtetuan se ishte vërtet varri i Shën Palit e eshtrat, të Apostullit të Popujve. Specialist i stemave, më 2005 dha ndihmesën e tij të çmuar për realizimin e stemës së Papnisë të Benediktit XVI.

Më 2006 Papa Ratzinger e krijoi kardinal, me titullin e Santa Maria in Portico. Më 3 korrik 2009, në përfundim të Vitit Paolin, Papa pranoi kërkesën e tij për dorëheqje nga detyra e kryepriftit të Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve.

Mesha e Dritës do të kremtohet nesër, në orën 11.30, pranë Altarit të Katedrës, në bazilikën e Vatikanit. Liturgjia do të kryesohet nga kardinali Giovanni Battista Re, zëvendës-dekan i Kolegjit Kardinalor. Në përfundim Papa Françesku do të kryesojë ritin e “Ultima Commendatio” (Lëshimit në dorë të Zotit) dhe të “Valedictio” (Lamtumira e fundit).  

Me vdekjen e tij, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 217 kardinaj, nga të cilët, 120 zgjedhës e 97, jo zgjedhës.








All the contents on this site are copyrighted ©.