2017-11-20 15:47:00

Dita e fëmijëve: tweet i Papës, së bashku, për buzagazin e fëmijëve


“Të punojmë së bashku, që fëmijët të mund të na shikojnë me buzë në gaz e t’i kenë gjithnjë sytë të kthjelltë, plot gëzim e shpresë. #WorldChildrensDay”. Është ky, tweeti i Papës, botuar në faqen e tij të internetit @Pontifex, në Ditën e sotme botërore të fëmijëve, themeluar nga Kombet e Bashkuara.

Të angazhohemi të gjithë së bashku është “themelore”, thekson Paolo Rozera, drejtor i përgjithshëm i Unicef Italia.

“Nga cilido vend që të vijnë, në luftë a në paqe, e edhe përballë dhunës e padrejtësive, një gjë nuk mund t’u grabitet kurrë fëmijëve: ëndërrimi”: kështu i komenton fjalët e Papës, drejtori i përgjithshëm i Unicef Italia, duke shtuar se pikërisht këshilla për t’u angazhuar të gjithë së bashku është themelore, sepse rezultatet në mbrojtje të fëmijëve mund të arrihen vetëm duke punuar së bashku, duke bërë rrjet e sistem për mbrojtjen e të vegjëlve”.

Me rastin e kësaj Dite, që kremtohet çdo vit në përvjetorin e Konventës OKB për të drejtat e fëmijëve dhe adoleshentëve, më 20 nëntor 1989, Unicefi organizon, si zakonisht, një mori veprimtarish në të cilat fëmijët zënë vendin e të rriturve në më se 130 vende. E për fat të keq, sipas një statistike, sot, në botë, më se 180 milionë fëmijë jetojnë në vende, ku perspektivat aktuale janë më të këqija, në krahasim me ato të prindërve”. Sepse në botë ka më shumë varfëri, më pak mundësi për shkollim e, sidomos, shumë më pak besim në njerëzit, që udhëheqin një mori vendesh. Majfton të kujtojmë Sirinë, në vitin e shtatë të konfliktit dhe Jemenin, në një luftë, që vijon prej tri vjetësh.








All the contents on this site are copyrighted ©.