2017-11-19 16:25:00

Papa: të favorizohet paqja në Lindjen e Mesme dhe stabiliteti në Liban


Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i Papës shkoi përsëri tek popullsitë, që jetojnë në varfëri të dhimbshme, për shkak të luftërave e të konflikteve:

“I përsëris bashkësisë ndërkombëtare - tha Papa - thirrjen time që të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të favorizuar paqen, posaçërisht, në Lindjen e Mesme. Mendoj në mënyrë të posaçme për popullin e dashur libanez dhe lutem për stabilitetin në vend, që të vijojë të jetë ‘mesazh’ respekti e bashkëjetese për gjithë zonën e mbarë botën”.

Papa u lut përsëri, sot, ashtu si dje, për 44 anëtarët e ekuipazhit  të nëndetëses argjentinase, zhdukur që të mërkurë në det të hapur, pranë Patagonisë - në jug të Argjentinës, ku vijojnë, për fat të keq pa asnjë rezultat - kërkimet me ndihmën e  anijeve e të avionëve.

Sipas njoftimeve të Ministrisë së Mbrojtjes së vendit latinoamerikan, nga nëndetësja janë nisur shtatë përpjekje për komunikim telefonik satelitar; përpjekja e fundit është ajo së mërkurës së kaluar. Që atëhere është këputur çdo lloj komunikimi. Enrique Balbi, zëdhënës i Flotës detare,  deklaroi se forca dhe lartësia e dallgëve të Atlantikut, mund ta dobësojë sinjalin e ardhur nga nëndetësja.

Para se të përshëndetej me besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi se Dita e sotme - e themeluar nga OKB-ja - u kushtohet edhe viktimave të rrugës. Ati i Shenjtë inkurajoi institucionet publike në angazhimin për parandalimin e aksidenteve, duke i nxitur edhe ata, që janë në timon, të tregohen të kujdesshëm e t’i respektojnë normat, si hap i parë për të mbrojtur veten dhe të tjerët. 








All the contents on this site are copyrighted ©.