2017-11-19 12:47:00

Papa Françesku: jo grushte të mbyllura, po duar punëtore, të shtrira drejt të varfërve


Papa Françesku: "Jo grushte të mbyllura, po duar punëtore, të shtrira drejt të varfërve. E keqja e tij ishte se nuk bëri kurrë mirë!”. Kështu e komentoi Françesku shëmbëlltyrën e shërbëtorit shpirtlig, nga Ungjilli i kësaj së diele, e XXXIII e Kohës së Zakonshme dhe Dita e parë Botërore e të Varfërve. E mbushur përplot Bazilika e Shën Pjetrit që, me këtë rast të jashtëzakonshëm, priti rreth 4000 vetë. Ndërmjet tyre, nevojtarë e të varfër, të shoqëruar nga personeli i shoqatave të vullnetariatit, ardhur jo vetëm nga Roma e Lazio, por edhe nga dioqeza të ndryshme të botës. Në përfundim të kremtimit, 1500 prej tyre u pritën në Sallën e Palit VI për drekën me Françeskun.

Edhe ne - kujtoi Papa në homelinë e Meshës - rrezikohemi të sillemi si shërbëtori faqezi, sepse nuk mjafton të mos bësh keq. Duke pasur parasysh  se “Zoti nuk është kontrollor biletash, që shkon duke kërkuar biletat e pavulosura, ‘por Atë’, “që shkon duke kërkuar bijtë, për t’ua besuar pasuritë e veta”. E ai, që i shumon talentat e besuara nga zotëria - shtoi Françesku - mendon si Zoti, rrezikon për dashuri, vë në lojë jetën për të tjerët, nuk lejon që gjithçka të mbetet ashtu siç është. Vetëm një gjë e lë pa bërë: nuk e shikon kurrë dobinë e vet! E vetmja herë që nuk jep ndihmë. E me të drejtë.

Por braktisja e të varfërve në fatin e vet  - qortoi Papa - e ka një emër të mirëpërcaktuar: quhet indiferencë, që domethënë t’i kthesh kurrizin vëllait, pikërisht kur ka më shumë nevojë. E si mund t’i pëlqejmë vërtet Zotit, pyeti Françesku që, duke cituar Ungjillin sipas Mateut, kujtoi këtë frazë të  Jezusit: “Me të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua”(Mt 25,40).

“Këta vëllezër më të vegjël, të zgjedhur prej Tij, janë i urituri e i sëmuri, i huaji e i burgosuri, i varfri e i braktisuri, i vuajturi, që s’ka krah ku të mbështetet e nevojtari i flakur pa shpresë në një skutë - vijoi Françesku  - Mbi fytyrat e tyre mund të përfytyrojmë të vulosur,  fytyrën e Tij, mbi buzët e tyre, edhe pse të mbyllura nga dhimbja, fjalët e Tij: 'Ky është korpi im!'” (Mt 56 26,26).

Duhet të mësohemi ta mundim indiferencën me duar punëtore, shtrirë kah të varfërit, kah korpi i plagosur i Zotit - nxiti Françesku - që vijoi të kujtojë: në të varfërit, në ligështinë e tyre, ka një forcë të pamposhtur shëlbuese: “ata janë pasaporta jonë për Parriz”. Është detyrë ungjillore të kujdesemi për ta, që janë pasuria jonë e vërtetë, e ta bëjmë këtë jo vetëm duke u dhënë një kafshatë bukë, por edhe duke thyer me ta bukën e Fjalës, bukë që u përket më natyrshëm se askujt tjetër. T’i duash të varfërit do të thotë të luftosh kundër të gjitha varfërive, shpirtërore e materiale.

Nëse ka gjë që vlen me të vërtetë, është ta duash Zotin e të afërmin, sepse gjithçka tjetër kalon. “Çka vlen me të vërtetë për mua, në jetën time?”. Kjo, pyetja, që Papa ua drejtoi të gjithëve në përfundim të homelisë. Këtë duhet t’ia bëjmë vetes të gjithë, për të mos kërkuar “gjërat e tepërta për vete, por të mirën për të tjerët”, me bindjen se “asgjë vertetë e çmuar nuk do të na mungojë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.