2017-11-19 13:00:00

Papa Françesku, në drekë me të varfërit në Ditën e parë kushtuar atyre


Kisha Katolike kremtoi sot në të gjithë botën, Ditën e parë kushtuar të varfërve, themeluar nga Papa Françesku në përfundim të Jubileut të Mëshirës. Vetë Ati i Shenjtë kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në orën 10.00 e foli për të varfërit edhe në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në mesditë. Komentoi Ungjillin e sotëm, në të cilin Jezusi u tregon dishepujve të vet shëmbëlltyrën e talenteve, dhuratë e Zotit, për t’u vënë në punë, që të shtohen e të shumohen.

Me Letrën “Misericordia et misera”, publikuar më 21 nëntor 2016, Papa përcaktoi që Dita e të Varfërve të kremtohet të dielën e 33-të të vitit kishtar, prandaj data është e ndryshueshme. Sot, më se 4 mijë nevojtarë, të shoqëruar nga shoqata vullnetarësh, kryesisht të Romës e të Lacios, por edhe të dioqezave të ndryshme të botës, si Parisi, Lioni, Varshava, Krakovi, Brukseli e Luksemburgu, ishin të pranishëm në meshën e kremtuar nga Ati i Shenjtë në orën 10.00.

Pas përfundimit të saj, 1500 prej tyre morën pjesë në një drekë festive me Papën Françesku në Sallën Pali VI, në Vatikan. Shoqëruan këtë çast me muzikë, Banda e Xhandarmërisë së Vatikanit dhe kori “Nota të ëmbla”, përbërë nga fëmijë të moshës 5-14 vjeç.

2500 të varfërit e tjerë u shpërndanë në mensa, seminare e kolegje katolike në Romë, si Kolegji Papnor i Amerikës së Veriut, Mensat e Rrethit të Shën Pjetrit, ajo e Karitasit të Romës, Bashkësia e Shën Egjidit etj.. Të varfërit u shërbyen nga 40 diakonë të dioqezës së Romës dhe nga 150 vullnetarë, ardhur nga famullitë e dioqezave të tjera.

Një kuriozitet. Menyja e drekës me Papën në Sallën Pali VI përbëhej nga makarona sardenje me domate, ullinj dhe djathë, mish viçi me perime, polenta dhe brokoli, tiramisù, ujë, arançatë dhe kafe.








All the contents on this site are copyrighted ©.