2017-11-17 14:07:00

Papa Françesku: të mendosh për vdekjen bën mirë, do të jetë takimi me Zotin


Papa Françesku: të mendosh për vdekjen bën mirë, do të jetë takimi me Zotin. Të reflektosh për fundin e botës e edhe për fundin e secilit nga ne: kjo është ftesa që e bën edhe sot Kisha, përmes faqes së Ungjillit (Lk 17,26-37), të cilën Papa e komentoi gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Fragmenti i sotëm flet për jetën normale të burrave e të grave para përmbytjes universale e në ditët e Lot-it: njerëzit hanin e pinin, shisnin e blinin, merrnin gra e burra. por pastaj, krejt befasisht, erdhi dita e dukjes së Zotit. E punët ndryshuan me shpejtësinë e vetëtimës.

Kisha, që është nënë - kujtoi Papa në homeli - dëshiron që secili nga ne të mendojë për vdekjen e vet. Të gjithë jemi mësuar me jetën e zakonshme, të përditshme, me orare, angazhime, punë, çaste prehjeje e mendojmë se kështu do të jetë përgjithnjë. Por vjen një ditë kur Zoti të thërret e të thotë: “Eja!”. Disave thirrja do t’u vijë papritur e pa kujtuar. Disa të tjerëve, pas një sëmundjeje të gjatë. Askush nuk e di si e kur! Po për të ardhur do të vijë! E do të jetë ardhje e beftë, e pastaj Zoti do të na bëjë një surprizë tjetër: jetën e pasosur. Prandaj Kisha, këto ditë, na e kujton e na thotë: “Ndalu paksa, ndalu e mendo për vdekjen!”. Papa Françesku e përshkroi sot, atë që ndodh zakonisht në raste vdekjesh. Edhe pjesëmarrja në  netët e pagjumë, rreth të vdekurit e vizita në varrezë - kujtoi - bëhen fakt shoqëror: shkohet, flitet me njerëz të tjerë, në shumë raste edhe hahet e pihet: “është një takim më shumë, për të mos menduar”:

“Po sot Kisha, sot Zoti, me mirësinë e Tij të pambaruar, i thotë secilit prej nesh: ‘Ndalu, ndalu, nuk do të jenë kështu të gjitha ditët tuaja. Mos u mëso me këtë ritëm, si të ishte vetë amshimi. Do të vijë edhe për ty dita e nisjes; ti do të nisesh e tjetri do të mbetet, do të nisesh, do të shkosh’. Do të shkosh me Zotin, prandaj duhet menduar se jeta jonë e ka një fund. E kjo bën mirë”.

Bën mirë - shpjegoi Papa - gjithnjë. Edhe në një ditë të re pune, për shembull, mund të ndalemi një çast e të mendojmë: “Sot ndoshta do të jetë dita e fundit, nuk e di, ndoshta, po edhe nëse do të jetë kështu, punën do ta bëj sa më mirë”. E kështu në marrëdhënie me familjen, gjatë vizitave te mjeku:

“Të mendosh për vdekjen nuk është ndonjë fantazi e shëmtuar, është realitet. E shëmtuar a  e pashëmtuar, kjo varet nga unë, nga mënyra si e mendoj. Por që do të jetë, do të jetë! E do të jetë takimi me Zotin, kjo do të jetë e bukura e vdekjes. Do të jetë takimi me Zotin, do të jetë Ai, që do të vijë e të na takojë, do të jetë Ai, që do të na thotë: ‘Eja, eja, i bekuari i Atit tim, eja me mua”.

E kur të na thërrasë Zoti, nuk do të kemi më kohë për t’i ndrequr punët tona. Françesku kujtoi fjalët, që ia tha një meshtar këto ditë:

“Dje u takova me një prift rreth të 60-tave, që nuk ndjehej mirë… Natyrisht shkoi te mjeku e ai i tha: ‘Pa shiko, ke këtë e këtë e këtë, e kjo është diçka e keqe, por ndoshta jemi në kohë për ta ndaluar. Nëse nuk ndalet, do të bëjmë këtë e këtë e këtë… E nëse vijon akoma, edhe ne do të vijojmë e unë do të të shoqëroj deri në fund të fundit. I lumtë këtij mjeku”.

Kështu edhe ne - këshilloi Papa - ta shoqërojmë njeri-tjetrin hap pas hapi në këtë rrugë, të bëjmë gjithçka, por gjithnjë me sytë e ngulur atje, në ditën kur “Zoti do të vijë të më marrë për dore, për të shkuar tek Ai”.








All the contents on this site are copyrighted ©.