2017-11-17 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 33-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Jemi në të dielën e 33-të gjatë vitit liturgjik, do të thotë se jemi në të dielën e parafundit të këtij viti kishtar e Fjala e Zotit na kujton se çdonjërit prej nesh Hyji i ka dhënë dhanti, talente, dhurata të veçanta për të mirën personale, për të mirën e komunitetit dhe të mbarë njerëzimit. E pasi kemi marrë talentet a dhuratat prej Zotit, Jezusi na fton t’i investojmë ato, do të thotë t’i investojmë e shtiem në punë për ta përmirësuar botën dhe për ta ndërtuar mbretërinë e Hyjit. Jemi afër përfundimit të këtij viti të Kishës, prandaj është kohë bilanci e programimi. Jezusi, me shëmbëlltyrën e talenteve, na fton t’i investojmë e t’i qesim mirë në punë dhuntitë dhe burimet e natyrës e hiret që kemi marrë prej Zotit, për rritjen tonë njerëzore e shpirtërore.

Pra, përmes shëmbëlltyrës së talenteve, Jezusi na tregon se Hyji është Zoti i cili u shpërndan dhuratat shërbëtorëve e bijve të Tij. “Talentet” janë mbi të gjitha dhuratat e natyrës, cilësitë tona të mira, aftësitë të cilat njeriu i merr falas nga Hyji, jo sepse i meriton por se Hyji është bujar me të.

Zoti do që njerëzit të jenë bijë të mirë, të cilët dhuratat e marra, ti venë në shërbim të të afërmve e për të mirën e mbarë njerëzimit. Dhuratat që marrin nga Zoti nuk janë vetëm për ne personalisht, po përmes nesh duhet t’i gëzojnë të gjithë.

Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu, Jezusi qorton atë shërbëtor i cili e sheh monedhën e tij pa marrë parasysh se mund ta vinte në shërbim. Kjo shëmbëlltyrë ungjillore na mëson t’i përdorim të gjitha dhuratat a talentet që kemi prej Hyjit për të punuar për realizimin e planit të Tij të dashurisë, për të punuar për të mirën personale e atë të të gjithëve.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, e parafundit e vitit liturgjik, na fton edhe një herë të jemi të vëmendshëm, të jemi gati dhe në pritje të gjykimit të Zotit mbi jetën tonë. Fjala e Hyjit na tregon se si dhe çka njeriu besimtar duhet të bëjë gjatë udhës së tij tokësore, për t’ia arritur cakut përfundimtar, do të thotë jetës së përjetshme që është bashkimi me Hyjin. Ungjill i kësaj së diele nga Mateu, na fton të jemi vigjilentë, të kujdesemi në mënyrë aktive, për të pasur mundësi një ditë të marrim pjesë në Mbretërinë e Hyjit, me fjalë tjera, për fitojmë përjetësinë në Zotin.

Në Leximin e dytë, Shën Pali i nxit besimtarët e Selanikut të angazhohen si të krishterë në detyrat e jetës së përditshme, duke u kujtuar atyre afrimin e “ditës së Zotit”, shprehje kjo që na tërheq vëmendjen se një ditë të gjithë do të japim llogari para Zotit për veprat tona dhe talentet (të mirat) që Ai na ka falur.

Leximi i parë nga Libri i Fjalëve të Urta e lartëson figurën e gruas ideale, të “gruas së urtë, gruas së vërtetë, gruas së përsosur”, e cila “punon hareshëm” në shtëpi e në familje, duke merituar lëvdata publike. 

Ta pranojmë thirrjen që Kisha i drejton çdonjërit prej nesh që me dhuratat e Zotit të japim fryte me vepra të mira dhe me dëshminë e një jete në përkim me vullnetin hyjnor.

                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Fu 31, 10-13. 19-20. 30-31)
Gruaja e përsosur punon me dëshirë me duart e veta.

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta.

Ku mund të gjendet një grua vërtet burrneshë? Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm. Zemra e burrit të saj ka besim në të dhe pasuria nuk do t’i mungojë. Ajo i bën mirë e kurrë keq në të gjitha ditët e jetës së vet. Ajo gjen lesh e li e punon hareshëm me duar të veta. Furkën e merr në dorë e me gishta e sjellë boshtin. Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua shtrin dorën të mjerëve.
Hijeshia është e rrejshme e bukuria është e kotë: gruaja që e druan Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar! Le t’i gëzojë frytet e duarve të veta, le ta lavdërojnë para popullit veprat e saj! Fjala e Zotit.

Psalmi 128 (127)

Ref: Lum njeriu që ecën udhës së Zotit
_____________________________

Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës
së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh.
_____________________________
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
_____________________________
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
_____________________________

Leximi i dytë (1 Sel 5, 1-6) Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, për sa i përket kohës dhe momentit as nuk është nevoja t’ju shkruaj, sepse vetë e dini mirë se dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën. Ndërsa njerëzit do të thonë: “Ç’ paqe dhe ç’ siguri!”, shi atëherë, porsi dhimbjet e lindjes të gruas shtatzënë, do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.
Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi: sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ! Atëherë të mos flemë porsi tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë! Fjala e Zotit.

Ungjilli (Mt 25, 14-30)
U dëftove besnik në sende të vogla, hyr në gëzimin e zotërisë tënd!

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. Njërit i dha pesë talente, tjetrit dy, e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij, e u nis për udhëtim. Menjëherë ai që mori pesë talente u çua dhe i shtiu në punë e me ta fitoi edhe pesë tjerë. Po ashtu edhe ai që mori dy talente, fitoi edhe dy tjerë. Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.
Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. E si doli para ai që kishte marrë pesë talente, i qiti përpara edhe pesë tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talente, ja, edhe pesë tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talente e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talente, ja, edhe dy tjerë që i fitova.’ Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’
Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja tani gjënë tënde!’ Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talente! Sepse atij që ka do t’i jepet më, e do të ketë me shumicë; e atij që s’ka do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! E shërbëtorin e pavlefshëm qiteni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh’!” Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.