2017-11-17 15:30:00

Civiltà Cattolica: Bibla si "Bibliotekë e shkruar nga emigrantët”


“Bibla: një bibliotekë e shkruar nga emigrantët”: ky është njëri nga artikujt e numrit të ri të revistës kulturore të jezuitëve italianë, “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik), bocat e së cilës rishikohen gjithnjë nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit.

“Opinioni publik dhe qeveritë – shkruhet në artikullin e Dominik Markl – përballen me dramën dhe me sfidën e emigracioneve masive. Por një vështrim mbi historinë e njerëzimit tregon se jemi të gjithë emigrantë, që kur raca njerëzore u përhap në Evropë 40 mijë vjet më parë, duke ardhur nga kontinenti afrikan, ku jo vetëm e ka origjinën e vet, por edhe është zhvilluar në një proces 100 mijë vjeçar”.

Vërtet, edhe vetë Bibla, jo rastësisht, është “një bibliotekë pa fund me histori emigrantësh, shkruar për një popull emigrant, për Popullin e Zotit, që nga Adami e deri tek Jezu Krishti dhe apostujt”, vëren më tej autori. Adami dhe Eva duhet të lënë banesën e tyre të parë, Parrizin. Edhe më pas, Libri i Zanafillës është plot me episode ikjeje dhe emigracioni. Historitë e mëdha të Biblës, si ajo e Jozefit dhe vëllezërve të tij, e Noemit dhe e Rutit, zhvillohen mbi skena të huaja. Pikërisht, ndërsa janë në ikje, ose në udhëtim, Jakobi, Elia e Jona takojnë Hyjin. Në mes të rreziqeve të udhëtimit, Tobia provon mbrojtjen e Rafaelit kryeengjëll.

Në Librin e Daljes, ikja përmes detit, faktikisht, shënon lindjen e një populli. “Ç’kontrast i jashtëzakonshëm ekziston ndërmjet historisë plot shpresë të çlirimit përmes Detit të Kuq dhe ikjes përmes Detit Mesdhe, që është kthyer në ‘tregimin e tmerreve’ të kohës sonë!”, vërehet në “Civiltà Cattolica”.

Pikërisht, si popull refugjatësh, Izraeli kthehet në Popullin e Zotit. E duke lidhur besën në Sinai, Hyji i kërkon popullit të çliruar një impenjim, që lidhet me vetë çlirimin e tij: “Mos e nëpërkëmbni të ardhurin, sepse e njihni jetën e ardhacakut; edhe ju keni qenë ardhacakë në dheun e Egjiptit” (Dal 23,9). “Zoti i Biblës është Hyji i çlirimit, është Zoti i emigrantëve”, nënvizon Markl.

Sipas revistës së jezuitëve, edhe profetët e mëdhenj janë bërë më të urtë gjatë mërgimit dhe ikjes. Së fundi, ikja e Izraelit në Egjipt dhe Dalja ndjehen edhe në fëmijërinë e parë të Jezusit nga Nazareti. Vetë Jezusi, kur fillon misionin e Tij, niset bashkë me dishepujt për rrugë e pas Ringjalljes, e shtrin misionin e Tij në të gjithë botën. Ata, që ndërmarrin këtë udhëtim, arrijnë t’i njohin të gjitha rreziqet e jetës endacake: ksenofobinë, vjedhjen, mbytjen (shih 2 Kor 11,25-27).

“Pra, kemi qenë gjithnjë emigrantë në udhën drejt amshimit. Jemi shtegtarë mbi Tokë e mbartim në çantën tonë të dorës, Biblën – urtinë e mbledhur që prej mijëra vjetësh – së bashku me libra të tjerë të mëdhenj. Në gojën e e në zemrën tonë, ajo kthehet në fjalë jete. Mënyra e udhëtimit dhe e shtegtimit tonë, mënyra si i ndihmojmë emigrantët e tjerë, tregon ç’qëndrim mbajmë ndaj origjinës dhe fatit tonë të mistershëm”, përfundon “Civiltà Cattolica”.








All the contents on this site are copyrighted ©.