2017-11-16 13:07:00

Shëndeti: që sot në Vatikan, Konferenca mbi pabarazitë globale


Shëndeti, e drejtë themelore, që u duhet siguruar të gjithëve. Sepse të gjithëve u duhen mundësuar shërbimet e nevojshme shëndetësore. Ky, konstatimi, mbi të cilin po flitet në Konferencën ndërkombëtare me temë “Të përballohen pabarazitë globale në fushën e shërbimit shëndetësor”. Konferenca, që nisi sot, në Sallën e Re të Sinodit, për të përfunduar më 18 nëntor, organizohet nga Dikasteri i Shërbimit të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor dhe nga Konfederata ndërkombëtare e institucioneve katolike (Ciisac).

Synimi: të tërheqë vëmendjen e atyre, që kanë përgjegjësi për shëndetin e botës, duke nisur nga Kisha universale, tek bashkësia ndërkombëtare e vullnetariati - shpjegoi dje, në Sallën e Shtypit, imzot Charles Namugera, zyrtar i Dikasterit organizator.

Ka emergjenca - shtoi - që prekin gjithnjë grupet më të ligshta, domethënë, njerëzit që jetojnë në kushte varfërie, si refugjatët dhe emigrantët. Përgjithësisht, të gjitha kategoritë, të cilave u duhet garantuar mundësia për mbrojtjen e shëndetit.

Sot, hapja zyrtare, me fjalimin e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Parolin. Më se 500, specialistët, ardhur nga 66 vende, që do të flasin gjatë konferencës.

Po flitet - thekson imzot Namugera - edhe për veprimtarinë e Kishës, që ka më se njëqind struktura socialo-shëndetësore në të katër anët e botës: shumica ndodhen në zonat fshatare, në vende të vështira për t’u arritur, ku njerëzit kanë të ardhura shumë të ulëta e shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë shërbimet, që u nevojiten. E do të flitet edhe për veprimtarinë e strukturave shëndetësore katolike e të organizatave të Kishës, si Caritas Internationalis, Konferenca ndërkombëtare e spitaleve katolike dhe disa organizata jo qeveritare të frymëzimit katolik, për t’i bërë ballë këtij problemi  e për t’u garantuar shërbimin shëndetësor këtyre njerëzve.

Problemi i pabarazisë në fushën e shëndetit ka të bëjë, posaçërisht, me “vendet në rrugë zhvillimi”  e me njerëzit e zonave të varfra fshatare. E në Afrikë, Azi e Amerikën Latine, problemi  është shumë më i theksuar.

Parashikohet edhe një takim, kushtuar terapive antiretrovirale për pacientët e vegjël të prekur nga Sida. E disa dëshmi, që do të dëgjohen në konferencë, vijnë edhe nga vendet në luftë. imzot Namugera kujton:

“Do të japë një relacion edhe kardinali Zenari, që do të tregojë ç’po bën Kisha për t’i ardhur në ndihmë popullsive të Sirisë, vend i martirizuar nga lufta, posaçërisht, për t’u siguruar shëndetin popullsive vendase.

Ndërsa kardinali Luis Antonio Tagle do të flasë për veprimtaritë konkrete të Karitasit, e imzot Robert Vitillo, tani Sekretar i International Catholic Migration, do të flasë për veprimtarinë e kësaj organizate në ndihmë të refugjatëve në Siri, Pakistan  e në vise të  tjera të botës, për t’u garantuar mjekimet.

Anthony R. Tersigni, kryetar i Konfederatës ndërkombëtare të Institucioneve shëndetësore katolike (Ciisac) dhe “Ascensin”, që sjell shembullin  e  tij nga SHBA-të e jo vetëm, thekson:

“Është rol i madh, ky që luajmë, duke shkëmbyer opinione mbi politikat  të cilat mund të funksionojnë ose jo, por që mund të kenë ndikim të madh mbi jetën e njerëzve. Synojmë sigurimin e shërbimit shëndetësor cilësor, të besueshëm, me çmim të arsyeshëm e të aftë për të arritur rezultate të kënaqshme. E do të vijojmë të luftojmë për këtë!”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.