2017-11-14 13:07:00

Programi i Shtegtimit apostolik të Papës në Kili e Perù


U botua programi i Shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Kili e Perù, përkatësisht nga 15 deri më 18 janar e nga 18 deri më 22.  

Me të njëjtën gjuhë por me histori të ndryshme, dy vendet latinoamerikane shquhen për një pasuri të madhe shpirtërore e njerëzore. Në videomesazhin drejtuar, gushtin e kaluar, popullsisë peruviane, Papa Françesku shprehte  jo vetëm “dëshirën e madhe” për të shkuar në këto troje, por shtonte edhe:”Jeni popull, që ka pasuri të madhe. Pasuria më e bukur, që mund të ketë një Papë, është ajo e shenjtorëve”. E Peruja ka vërtet “shumë shenjtorë të mëdhenj, që kanë luajtur një rol të dorës së parë në historinë e Amerikës Latine".

Kujtojmë se shkurtin e kaluar ipeshkvijtë e Konferencës ipeshkvnore të Kilit ishin në Vatikan, për vizitë “ad Limina Apostolorum”. I pranishëm, edhe kardinali  Ricardo Ezzati Andrello, kryeipeshkëv i Santiagos që, i intervistuar në përfundim të takimit me Papën, e kujtoi kështu këtë ngjarje të madhe: “Folën për gëzimet, por edhe për vuajtjet: gëzim, për shembull, të shikosh se Kisha në vendin tonë ka devocion të thellë popullor, forcë të pabesueshme”.

E, ndërsa priste hollësirat e shtegtimit, Konferenca ipeshkvnore peruviane, theksonte se qytetet e zgjedhura për vizitën e Papës, kanë domethënie të thellë simbolike: Lima, kryeqytet e simbol i kombit; Puerto Maldonaldo, simbol i popujve vendas, indianëve, i Amazonës dhe i kujdesit për krijimin, ndërsa Trujillo, qytet i madh, që vuajti e vuan pasojat e Niño Costero, duke nisur nga përmbytjet e tmerrshme të muajve të kaluar.

Papa do të arrijë në Santiago të Kilit mbrëmjen e 15 janarit, për t’u takuar, një ditë më pas, me Autoritetet, Shoqërinë Civile dhe Trupin Diplomatik. Parashikohet një vizitë mirësjelljeje Presidentit, pasuar nga  Mesha Shenjte në Parque O’Higgins.

Pasdite, vizita në Burgun femëror të Santiagos; takimi me priftërinjtë rregulltarët, rregulltaret e seminaristët në Katedrale; takimi me ipeshkvijtë; vizita private në Shenjtëroren e Shën Alberto Hurtado dhe takimi privat me meshtarët e Shoqërisë së Jezusit.

Një ditë më pas, Papa do të niset në drejtim të Temuco për Meshën Shenjte, që do të kremtohet në Aeroportin e Maquehue dhe për drekën me disa nga banorët e Aracaunia, në  Shtëpinë “Madre de la Santa Cruz”. I rikthyer në Santiago, pasdite do të takohet me të rinjtë në Shenjtëroren e Maipu. Më pas, vizita në Universitetin Katolik të Kilit.

Më 18 janar, Mesha Shenjte në Campus Lobito di  Iquique e dreka me  grupin shoqërues në “Casa de retiros del Santuario Nuestra Señora de Lourdes” e Etërve Oblatë.

Rreth orës 17.00, nisja për Limë, në Perù. Ndërmjet takimeve më të rëndësishme të etapës së dytë, pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe përshëndetjes drejtuar autoriteteve, ai me Popujt e Amazonës, në Coliseo Regional Madre de Dios e me popullsinë, në Institutin Jorge Basadre. Parashikohet edhe vizita në Hogar Principito dhe takimi privat me anëtarë të Shoqërisë së Jezusit, në Kishën e Shën Pedros.

Të shtunën, 20, Mesha Shenjte në Sheshin bregdetar Huanchaco; xhiro me papamobil në lagjen “Buenos Ajres” e, më pas, takimi me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët e qarqeve kishtare të Perusë veriore, dhe kremtimi marian - Virgen de la Puerta - në Plaza de Armas.

Pas rikthimit në Limë, të nesërmen, Papa do të kremtojë lutjet e orës së mesditës me rregulltaret e jetës kundruese, në Santuario del Señor de los Milagros. Gjatë paradites, një çast lutjeje pranë relikeve të Shenjtorëve peruvianë në Katedrale; lutja e Engjëllit të Tënzot dhe Mesha Shenjte në Bazen Ajrore “Las Palmas”.

Në orën  18.30, ceremonia e lamtumirës dhe nisja për Romë/Ciampino, ku do të arrijë të nesërmen, rreth orës 14:15.

“Të bashkuar në shpresë”: lajtmotiv i motos dhe logos së shtegtimit të Papës në Perù

“Të bashkuar në shpresë” - është kjo, motoja e shpallur nga Konferenca ipeshkvnore peruviane. Spikat mbi Logon zyrtare të Shtegtimit të afërt  apostolik. E pikërisht ftesën që të punojnë  për unitetin, të frymëzuar nga shpresa, u drejtoi Papa peruvianëve, përmes një videomesazhi, që u bë i njohur nga kardinali Juan Luis Cipriani Thorne, kryipeshkëv i Limës.

Vizita e tretë papnore

Është e treta herë që një pasardhës i Shën Pjetrit viziton Perunë. Gjon Pali II pati shkelur në këto troje së pari më 1985 e, së dyti, më 1988, me rastin e Kongresit Eukaristik Marian Bolivarian. Kanë kaluar 30 vjet që atëhere. E tani, vizita e tretë: Peruja pret Françeskun, që i kërkon Kishës peruviane  t’i fuqizojë lidhjet me Zotin e me njeriun. Prej këndej, edhe motoja: “Të bashkuar në shpresë”.

Elementet e Logos: afërsi, lutje, bashkim

Në logo, sipas komentit të ipeshkvijve, shprehet afërsia e Papës me popullin peruvian dhe shoqërimi në udhën e tij të fesë, por synohet të manifestohet edhe atmosfera e festës, e shpresës, e bashkimit. Prej këndej, të bie në sy menjëherë figura buzagaze e Françeskut, në kornizën e kufijve të kombit peruvian e, përbri, motoja, e mbajtur nga dy duar me ngjyrat e flamujve peruvianë e vatikanas, kuq e verdh, të hapura, në gjestin e lutjes, lavdërimit e të gëzimit për ardhjen e Papës.








All the contents on this site are copyrighted ©.