2017-11-13 13:06:00

Papa në Shën Martë: shkandujt plagosin dhe vrasin zemra e shpresa


Shkandujt plagosin zemrat e vrasin shpresat: për ta foli sot Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.  Shkandujt janë të pashmangshëm - pohoi Papa - duke kujtuar fjalët e Krishtit në Ungjillin e sotëm, por “mjerë ai, që i shkakton”. Prej këndej, këshilla për dishepujt: “Ruajeni veten!”:

“…domethënë, mos shkandulloni kënd. Shkandulli është tejet i keq, sepse shkandulli plagos, i hap plagë ligështisë së popullit të Zotit, e plagos dobësinë e popullit të Zotit! E shpesh herë këto plagë mbeten të hapura për gjithë jetën. Sepse shkandulli jo vetëm plagos. Shkandulli është i aftë edhe të vrasë: vret shpresat, ëndrrat, vret familjet, vret zemrat…”.

“Ruajeni veten nga shkandulli” është këshillë për të gjithë - nënvizoi Françesku - posaçërisht për ata, që e mbajnë veten të krishterë, por jetojnë më keq se paganët. E ky s’është tjetër, veçse shkandull para syve të popullit të Zotit:

“Sa e sa të krishterë i largojnë njerëzit me shembullin e tyre, me inkoherencën e tyre; inkoherenca e të krishterëve është një nga armët më të kollajshme, që përdor djalli për ta ligështuar popullin e për ta larguar popullin e Hyjit nga Zoti. Të thuash diçka e të bësh diçka tjetër!”

Kjo quhet “inkoherencë”, që shkandullon - kujtoi Papa - e që sot na shtyn t’i bëjmë vetes disa pyetje: “A jam koherent në jetën time? Koherent me Ungjillin? Me Zotin? Apo ndjek shembullin e sipërmarrësve të krishterë që nuk e paguajnë të drejtin e i shfrytëzojnë njerëzit për t’u pasuruar për vete? E të barinjve të Kishës që nuk kujdesen fare për delet, e kështu i largojnë?”:

“Jezusi na kujton se nuk mund t’u shërbesh njëherësh dy zotërinjve, Zotit e parasë! E kur bariu është i kapur fort pas parasë, shkandullon! Njerëzit kanë të drejtë të shkandullohen: bari i kapur pas parasë! Barinjtë duhet ta pyesin veten: a jam mik i parave? Bari, që kërkon të ngjitet lart e më lart, që kotësia e shtyn të kacavaret, në vend që të jetë i butë i përvujtë! Sepse butësia e përvujtëria e bëjnë popullin e Zotit të afrohet gjithnjë më shumë! Apo jam bari, që e ndjen veten zotëri i rëndë e i komandon të gjithë? Bari fodull, e jo shërbëtor i popullit të Zotit?”.

Sot - e përfundoi Françesku homelinë - mund të jetë një ditë e bukur për të bërë rrëmimin e ndërgjegjes mbi këto pyetje: shkandulloj, apo jo? E nëse po, si shkandulloj? E kështu mund t’i përgjigjemi Zotit e t’i afrohemi pak më shumë Atij të Lumit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.