2017-11-12 08:00:00

Trilussa: Feja


Trilussa, pseudonim anagramatik i Carlo Alberto Camillo Mariano Salustri (Romë, 26 tetor 1871-Romë, 21 dhjetor 1950) ishte poet, shkrimtar e gazetar italian, i njohur në mënyrë të veçantë për shkrimet në dialektin romanesk. Ndërmjet satirave të famshme, shkroi edhe lirika prekëse, përmes të cilave dëshmoi besimin e tij në Zotin. Ndërmjet tyre, “Qiriu” e edhe “Feja”, që po e radhisim më poshtë, të përkthyer lirisht.

Trilussa: Feja

Ajo, plaka e verbët, që udhës e ndesha më beh,

Natën ngatërrue ndër kapërthime të pyllit,

Në se - më tha- ti rrugën nuk e njeh,

të shoqnoj vetë mbi gjurmë të dritës së hyllit.

 

Kambë-kambë po ece mbas hapave të mi,

Ta lëshoj ‘i za, të mos ndihesh fare qyq,

Deri në fund të rrugës, ku duket një selvi,

Der’ në maje të karmës, ku ngrihet lart një Kryq.

 

Ia drodha: - Ndoshta, por s’kam si ta besoj

se ‘i sy i shuem mund t’ më prijë në shtigje të reja.

E verbëta, atëherë, fort dorën ma shtrëngoi

Psherëtiu: “Ec mbas meje!”. Ishte Feja!

 

I shqetësuar nga dekadenca e letërsisë e, në përgjithësi, e kulturës  italiane të kohës, pati shkruar këto dy strofa, me vlerë aktuale jo vetëm për vendin e kohën kur jetoi:

“Kështu pati ndodhë, i dashtun miku im,

Që kur ti shkojshe nëpër librari

Libri ma i mirë kushtonte një centim!

 

Tashti kur shkruhen pisllëqe të pafund,

në libra e gazeta, që s’vlejnë asnjë pare

me një centim ma libër nuk gjen kund!”.

 

Ndër veprat e Trilussës kujtojmë:

Stelle de Roma. Versi romaneschi (1889)

Er Mago de Bborgo. Lunario pe' 'r 1890 (1890)

Er Mago de Bborgo. Lunario pe' 'r 1891 (1891)

Quaranta sonetti romaneschi (1894)

Altri sonetti. Preceduti da una lettera di Isacco di David Spizzichino, strozzino (1898)

Favole romanesche, Roma, Enrico Voghera, 1901, etj etj.

Leximi i poezive të Trilussës, me satirën tejet të hollë e elegante, vijon t’u falë një kënaqësi të rrallë lexuesve të tij që vijojnë të jenë të shumtë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.