2017-11-12 00:00:00

Kongresi i Monastirit, 12-20 nëntor 1908


Kongresi i Monastirit, 12-20 nëntor 1908.

Historia e alfabetit të shqipes është shumë e gjatë dhe e ndërlikuar: lidhet ngushtë me fillimin e lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirim nga Turqia. Nis me alfabete të përdorura nga persona të veçantë, vijon me të tjerë, përdorur nga shoqëritë e para jashtë e brenda atdheut, si Shoqnia e Stambollit, “Bashkimi” e “Agimi” të Shkodrës e, shkon deri më 12 nëntor 1908, kur në Monastir u mblodh Kongresi që kishte për qëllim vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm. 

Kongresi i Monastirit ka shkruar një faqe të artë në historinë gjuhësore e letrare shqipe. Kongresi e filloi punën më 12 nëntor 1908 dhe vijoi deri më 20 nëntor të të njëjtit vit, nën kryesinë e Midat Frasherit, me nënkryetar Gjerasim Qiriasin e me sekretar Luigj Gurakuqin. Në këtë Kongres dërguan përfaqësuesit e vet të gjitha krahinat e Shqipërisë e pothuajse të gjitha shoqëritë letrare, ndër të cilat edhe “Bashkimi” e “Agimi”, shoqëritë e mirënjohura të klerit katolik. “Bashkimi” përfaqësohej nga Atë Gjergj Fishta e zotëri Luigj Gurakuqi; “Agimi” nga dom Ndré Mjedja e zotëri Mato Logoreci.

Pas shumë diskutimesh mbi alfabetet që propozoheshin, u caktua një Komision i përbërë nga 12 veta, i cili do të vendoste alfabetin e përbashkët e të përgjithshëm të gjuhës shqipe. Kryetar u zgjodh Atë Gjergj Fishta. Po të shfletojmë “Ditarin” e Kongresit, gjejmë në këtë shënim:”...Atë Fishta,...me atë fuqi të fjalës që e ka vetiu, tha se çdo (delegat) që është i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ka ardhur për të mbrojtur ABC-në e vet, po për të gjetur një mënyrë që të bashkohemi të tërë. (Leka, 1937, 8-12, fq 358).

Në përfundim Kongresi la në përdorim dy tipe alfabetesh, atë të “Bashkimit” e atë të Stambollit, që të dy me pak ndryshime, duke mos i imponuar askujt përdorimin e njërit apo të tjetrit. Ishte koha ajo që do të vendoste se cili do t’i shërbente më mirë atyre idealeve të zjarrta, që pa një alfabet të përbashkët, nuk mund t’ia arrinin qëllimit për të zgjuar vetëdijen kombëtare të popullit shqiptar. Pak nga pak edhe shkrimtarët toskë e lanë pas dore alfabetin e Stambollit dhe nisen të përdornin në të gjitha shkrimet e veta alfabetin me shkronja latine të “Bashkimit”.

Kështu pra, pavarësisht nga mohimet, mallkimet e sharjet, historia dëshmon në mënyrë të pakundërshtueshme, se ishte kleri katolik ai që i dhuroi gjuhës shqipe alfabetin e përbashkët, të pranuar vullnetarisht nga gega e nga toska, që do të shërbente si një nga shenjat e para të bashkimit të të gjithë shqiptarëve nën një flamur të vetëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.