2017-11-12 08:30:00

38 martirët shqiptarë, në kryevjetorin e lumnimit


Ata kurrë mos o harrojshin!  

Më 5 nëntor përkujtuam kryevjetorin e Lumnimit të 38 Martirëve shqiptarë, viktima të diktaturës komuniste.  “Ata kurrë mos u harrojshin!”, pati shkruar Atë Gjergj Fishta për martirët e kombit. Mos u harrojshin kurrë, përsërit në një shkrim kushtuar Martirëve, Sami Repishti - mbasi na kujtojnë se:

 “Nuk ndërtohet mbi boshllek!”… Duhen themele të shëndosha për nji ndertesë të fortë e permanente siç asht Kisha Katolike Apostolike Romake Shqiptare. Sot, themi se këto themele janë të vadituna me gjak dëshmorësh e martirësh të pa faj për ma shumë se 45 vjet me rradhë…

Të Lumët na kujtojnë se:

 “Nuk ndërtohet parrizi me muratorët e ferrit!”… Duhen duer të pastra dhe të dedikueme për nji “mision”, ashtu siç ishin duert e martirëve të Klerit Katolik Shqiptar! …

“Tragjedi e kthyeme në angazhim”

Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, e pasunueme me ngjarjet tragjike të periudhës së diktaturës së kuqe ka trasformue tragjedinë në nji “angazhim” solemn e koshient të ruejtjes dhe përparimit të pranisë katolike në Shqipëri me sensin e përgjegjsisë së plotë. Plagët akoma të hapuna e kërkojnë; na duhet të respektojmë!

T’i kundërvihemi harresës, me kujtesë

Duhet të përpiqemi të mos lejojmë ramjen në “gropën e zezë të harresës” që thithë viktimën pa shpresë dalje.

Para së gjithash, duhet krijue atmosfera e pastër, vëllaznore e bashkëpunimit që pengon sulmet e ndërsjella në mes të viktimës së komunizmit e “mohuesve” – meturina toksike të komunizmit – që na ndajnë kaq shumë.

Duhet gjetë fjalori i përbashkët

Tragjedia e jonë meriton. E sidomos, duhet çmue si meriton përpjekja e secilit, e sakrifica e çdonjenit nga ne - tue theksue sidomos rastin e sakrificës supreme. Këtu vlen të theksohet vendi i nderit që zen kleri katolik shqiptar. Kjo ashtë nji e dhanun që duhet pranue a priori nga të gjithë njerëzit vullnetmirë. Kjo ashtë bindja e ime sot. ka qenë dje, dhe do të jetë edhe nesër!...

Duhet thye heshtja!

Kjo heshtje e thellë më tmeron! Sepse, nuk gjej nji përgjigje që ngushëllon: si mund të luftohet ecja e këtij fenomeni që eventualisht lejon përsëritjen e konfliktit, e që  reflekton imazhin e nji vendi në turbullim kercënues…

Feja, gur që mbijeton…

Në vitin 1984, në New York, SHBA., unë shkruejshe për Buletinin Katolik Shqiptar (San Francisco,) : “ …si besimtar i lindun mysliman, jam i bindun se feja në Shqipëri, me përdorë nji metaforë të famëshme, mbetet si guri, i cili jeton shumë kohë mbas zhdukjes së muratorit, që e gëdhen. E po aq i bindun edhe se do të vijë dita kur ky gur solid dhe i përherëshëm do të çfaqet përsëri, në mënyrë misterioze dhe të fuqishme, dhe do të paraqitet si mjet që transporton zemrat dhe shpirtët tonë të mbushun me devocion, drejt kahut të shpresës së pashueme, besimit frymëzues, dashunisë hyjnore të domosdoshme”. Ashtu ngjau! E ashtu do të ngjasë në shekuj! Na e dëshmojnë martirët e Lum!...

Marrë nga “Një dritare e re”, 08. 10. 1917








All the contents on this site are copyrighted ©.