2017-11-09 15:20:00

Papa për Murin e Berlinit: të rrëzojmë të gjitha muret, që akoma e ndajnë botën


“Të përhapet gjithnjë e më shumë kultura e takimit, e aftë të rrëzojë të gjitha muret, që akoma e ndajnë botën”. Me tweet-in e sotëm, Papa Françesku kujton 28-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

“Që sonte, kufiri është i hapur”. Me këtë njoftim të kryetarit të Partisë Komuniste berlineze, Gunter Schabowsky, më 9 nëntor të vitit 1989, filloi prishja e Murit të Berlinit, simbol kryesor i Luftës së Ftohtë, ndërtuar në vitin 1961 nga regjimi i Walter Ulbricht-it.

28 vjet më parë, qytetarët e Berlinit mundën të kalonin, më në fund, kufirin që ndate më dysh qytetin. Kjo ditë nuk shënon vetëm bashkimin e tij - që do të sillte më pas edhe bashkimin e Gjermanisë – por edhe rënien e perdes së hekurt ndërmjet Lindjes e Perëndimit të Evropës e fundin e Luftës së Ftohtë. Shqipërisë, që e mori vesh lajmin, si gjithnjë, përmes rrugëve të tërthorta, do t’i duhej të priste dhjetorin e vitit 1990 e manifestimet studentore që të gëzohej, së bashku me gjithë Evropën Lindore, për fundin e diktaturës komuniste.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.