2017-11-08 00:00:00

8 nëntori 1462 datë e shkrimit të 'Formulës së Pagëzimit' nga imzot Pal Engjëlli


8 nëntori vitit 1462 është datë e shkrimit të 'Formulës së Pagëzimit' nga kryeipeshkvi imzot Pal Engjëlli. Kështu, duke shfletuar kalendarin historik, më 8 nëntor, përkujtojmë datën e shkrimit të dokumentit kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit, në gjuhën kishtare të kohës, latinisht, në të cilin dokument gjendet në gjuhën shqipe “FORMULA E PAGEZIMIT” . “Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”, që deri më sot konsiderohet si dokumenti i parë shqip që njihet e që mbanë datën e 8 nëntorit të vitit 1462.

Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915.

Dokumenti është fryt i vizitës baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli bëri si bari e udhëheqës shpirtëror i grigjës së Zotit, nëpër Kisha famullitare dhe vise të kryedioqezës së Durrësit. Në mbarim të kësaj vizite imzot Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve, problemet e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të Pagëzimit..“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.

Së fundi në këtë dokument imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës, Selisë së Shenjtë, të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.

Karl Gurakuqi shkruan në Shejzat të vitit 1969 n -7-9 në faqe 321 mbi Kongresin e Monastirit 1908-1968 e duke u folur rreth gjuhës shqipe ‘Prej Buzukut n’alfabetin e Monastirit,  kur flet për formulën e Pagëzimit shprehet kështu:
“Krye-epishkopi shqiptàar i Durrsit, Pàl Engjëlli( rreth vjetve 1417-1470), mik e bashkëpuntuer i Skandërbeut, njerí shum fetár, me ndiesí të forta atdhetare, pat bâ nji vizitë baritore tue u sjellë nepër të gjitha viset e Shqipnísë mesme. Gjatë kësaj vizite nepër famullít e ndryshme, qi shkojshin me jurisdikcjonin e Durrsit, krye-epishkopi pat vû re shrregullime të shumta në punët e ushtrimit të fés nga ana e famullitarvet, qi nuk ishin aq fort të përgatitun për shërbimet fetare. Kleri shqiptár, ndonsè vendas, nuk interesohej aq fort për popullin, dhe aq mâ pak për punët fetare, prandej Bariu i tyne, Pali, shkroi disá udhëzime, disá rregullore, me anën e të clave u mësonte priftënvet të famullivet se qysh lipsej të silleshin në shërbesat e kishës. Këto këshille i shkroi latinisht me tiutullin:”Constitutiones, ordinationes et statuta nga Paulus Angelus, miseratione divina Archiepiscopus Dirrachiensis et Illiricae Regionis….In Ecclesia santae Trinitatis de Emathia. Anno Dei 1462, Indicitone decima die vero lunae octava mensis Novembris”( ditën e hânë, me 8 të nândorit)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.