Sot, me 4 nëntor, kujtojmë 27 përvjetorin e kremtimit të Meshës së Shenjtë ndër varrezat e Shkodrës, më 4 nëntor 1990, nga prifti dom Simon Jubani, mes tjerash tha Dom Simon Jubani: "Liria e Feja udhët e demokracisë paqësore për një popull të qytetnuem". "Liria, progres i ndërgjegjes dhe i kulturës njerëzore. Feja një digë morale që i ep kontributin rendit publik".
Prifti dom Simon Jubani, njihet si një nga qytetarët dhe meshtarët shqiptarë, që ka vuajtur gjithë jetën, i persekutuar në burgjet komuniste, po edhe si ai që sfidoi regjimin e diktaturës ateiste e komuniste në emër të Zotit e të Atdheut.
Dom Simoni e sfidoi publikisht diktaturën ateiste komuniste, me aktin e shenjtë të kremtimit të Eukaristisë – Meshës, akt ky të cilin regjimi i paTënzon e kishte ndaluar rreptësishtë, duke menduar se do t’ua ndalonte besimin qytetarëve, për çka mbylli Kisha e Tempuj kulti, për çka vrau priftërinj, klerikë të feve të ndryshme dhe qytetarë besimtarë që besonin në Zotin.
Po, dom Simon Jubani e sfidoi regjimin diktatorial ateist me aktin më të shenjtë të krishterë, me kremtimin e Eukaristisë (Meshës) që sjell, kremton, përkujton e shpall praninë e Krishtit Zot në mesin e popullit të tij. Eukaristia përherë kujtoi e vazhdon të na kujtojë se e Mira ngadhënjen mbi të keqen, Drita mbi errësirën, Dashuria mbi urrejtjen, Ringjallja mbi vdekjen. Qe pikërisht Eukaristia Shenjte që kumtoi Agimin e një epoke të re për shqiptarët.
Kështu, data e 4 nëntorit 1990, që mbeti e paharruar në mendjen dhe zemrën e shkodranëve e të të gjithë shqiptarëve, dëshmoi se populli shqiptar që nuk e kishte harruar Zotin, që nuk e kishte mohuar fenë e as vlerat më fisnike, edhe pas një gjysmë shekulli ateizmi e terrori shtetëror.
Atë ditë të 4 nëntorit 1990, një grup i vogël besimtarësh, në sa pastronin, nën një shi të imtë vjeshte, varret e të dashurve, të thyera e të përdhunuara, në prag të shkatërrimit të plotë, panë të mahnitur një meshtar që ngjitej në altarin e sajuar me një tryezë të thjeshtë, në kapelën e djegur të Varrezës së Shkodrës e që fillonte kremtimin e Meshës, ende nën diktaturë.
Ja edhe homelia e Meshës së parë kremtuar në varreza të Shkodrës, , mbajtur nga dom Simon Jubani, më 11. 09. 1990. Botuar më 31 tetor 2015 nga famullia kishtare e Shkodrës
Vëllazën e motra
Le t’i kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë këta të dekun që kemi ndër vorreza dhe të gjithë ata vëllazën e motra tona, që ranë për një Shqipni Europiane gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme.
Në vjetën 1443, kur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti popullin shqiptar me këto fjalë: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta midis jush”.
Unë, i padejë për këtë mision, po ju thom se fenë nuk jua pruna unë, por e gjeta të ndezun në zemrat tueja. Se kjo fe ka qenë gjithmonë e flakët ndër zemrat tona e dishmon ardhja juej sot në këtë vend të shenjtë prej të katër anëve të Shqipnisë, për me e adhurue, me e falenderue e për me e lavdue të madhin Zot për këtë MREKULLI të madhe që po shohim sot me sy. Se ky besim ka kenë përherë i ndezun në shpirtënt tonë, e vërteton restaurimi i kësaj kishëze vorrezash, ku kanë dhanë kontributin e vet, me punë e me të holla, edhe vëllazënt myslimanëe ortodoksë. Se kjo fe ka kenë gjithmonë inkandeshente në mendjet e zemrat tona, e dishmon edhe ma mirë shenjtorja e Shëna Ndout në Laç, kur midis terrorit, mbi ato gërmadha, kanë ra mija shqiptarë për çdo vjetë. Secili në fenë e vet e secili në gjuhën e vet vazhdimisht po i luten Shenjtit Shëna Ndue për të gjitha nevojat shpirtnore dhe trupore dhe këto lutje u kurorëzuen sot me këtë Panair plebishitar.
Për të madhin Zot e për fenë në Të, ma bukur se unë flitni ju, me ato ngushëllimet e panumërta që gjeni te kjo fe, e cila i ngushëllon e i forcon, i zhdrivillon, i zbutë, i qytetnon mendet e zemrat e të gjithë njerëzimit.
Për të madhin Zot e për Shenjtënt e tij, ma bukur se unë shprehen shurdhët që ndiejnë, pagojcat që flasin, sakatat që ecin, psikopatët dhe epileptikët që shërohen.
Kush i zbuti barbarët e kohës së mesme, gotët, vizigotët, hunët e vandalët, përveçse murgjët e murgeshat, që i zbutën hordhitë e egërsinave me Kryq në dorë e me lutje në buzë? Kusha ia dha Europës unitetin shpirtnor, kulturor e politik, përveçse kristianizmi?
Krejt zhvillimi moral e intelektual i Europës e ka burimin te filozofia e teologjia kristiane. Kush i çliroi vendet arabe në shekullin e shtatë nga paganizmi, politeizmi dhe u fali monoteizmin e i ngriti fiset primiteve në shtet të organizuem dhe ma vonë në Perandori arabe e otomane, përveçse islamizmi dhe profeti i tij, Muhamet?
Por bota e qytetnueme na njeh edhe për famëmadhen, Lidhjen e Prizrendit. Kryetari i Lidhjes, Haxhi Ymr Prizrendi, së bashku me krenët tjerë muhamedanë, ortodoksë e katolikë, si Eljaz Pashë Dibra, Vaso Pashë Shkodrani e Abdyl Frashëri, të gjitha mbledhjet i zhvilluen në xhaminë e Prizrendit, e prej kësaj xhami, dolën të gjitha direktivat. I madhi Zot, për t’i ushqye shqiptarët me begati, e pajisi Shqipninë tonë me dy mushkëni, me tokën e me detin: Për ta ruejtë këtë frymë të shëndoshtë, prej toke e prej deti, jetuen,luftuen e diqën princat shqiptarë të shekullit XV si dhe fatosat e kreshnikët e Lidhjes së Prizrendit.
Vjeta 1989 ka qenë vjeta e paqës dhe e lirisë për gjithë botën, sepse në këtë vjetë u shembën muret e perdet e hekurta,që ndanin vende e popuj, por ma tepër ndanin zemrat e njerëzve. Në këtë vjetë pushoi së rrjedhuni gjaku, po fshihen lotë, mbaroi djersa e pashpërblyeme e mori fund lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Njerëzimi hyni në një epokë paqe, lirie, mirësie, harmonie e begatie. Begatia e harmonia e një populli varen nga liritë që u akordohen qytetarëve.
Vetëm kështu do t’ua mbyllim gojën atyne që na quejnë “Shprehje gjeografike”, tokë e pazbulueme dhe i askujt, vetëm kështu do t’ua mbyllim gojën anmiqve tonë, që na konsiderojnë popull kopil, i gjetun në mjedis të katër rrugëve nga nana histori.
Shkodra, qytet me histori ma të lashtë se dymijë vjeçare; Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë; Shkodra e Teutës, e Gentit, e Agronit; Shkodra që deri para 50 vjetësh i pati dhanë Shqipnisë tonin moral, kultural, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkodër asht gati edhe sot me bashkëpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtare e Balshës së Madhe e Marin Barletit, mbasardhëse e Fishtës e e Bushatlinjve, e Oso Kukës, dom Ndoc Nikës, dom Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit. Trashigimtare e Frashërlijve, Konicës.. Shkodranët gjinden këtu, në këto troje shqiptare, të gatshëm me ripërtri edhe një here traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia në kohët e saj më të mira, mbrendë e jashtë atdheut. Amen!
All the contents on this site are copyrighted ©. |