2017-11-03 12:08:00

Giovagnoli: me vizitën e 2 nëntorit, Papa kujton tragjizmin e luftës


Dy vizita ngarkuar me emocione të thella, karakterizuar nga heshtja dhe lutja, në dy vende thellësisht simbolike, për të pohuar absurditetin e luftës, mjet vdekjeje e vetëshkatërrimi. Pas vizitave të Papës Françesku në Varrezën amerikane të Nettunos dhe në Varrezën Ardeatine, në ditën kur Kisha përkujtonte të vdekurit, Agostino Giovagnoli, profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin Katolik të Milanos, e komenton kështu, në mikrofonet e Radio Vatikanit, këtë ngjarje, me mbresa të thella në shpirtin e atyre që e ndoqën:

Përgjigje: - Zgjedhja e Varrezës amerikane të Nettunos dhe Mauzoleut të varrezës Ardeatine për të kremtuar ditën e përkujtimit të të vdekurve,  tregoi qartë shqetësimin e Papës Françesku, që deshi të kujtojë se lufta është kryesisht, e para së gjithash, tragjedi, që shkakton vetëm vdekje, ndonëse shpesh, duke dëshiruar krijimin e një bote të re, shikohet  mendjelehtësisht si mundësi për lindjen e saj, gati-gati duke e përfytyryar  si pranverë të re – siç e kujtoi Papa në homeli. E kjo do të thotë se njerëzimi nuk e njeh si duhet luftën, nuk ka frikë prej saj, pikërisht kur lufta është e pranishme në një mori vendesh të botës e i afërt, edhe kërcënimi për një konflikt gjithnjë më tragjik.

Pyetje: - Papa Françesku synon, edhe me këto vizita, të pastrojë kujtesën - ashtu siç bënë edhe paraardhësit e tij - e kjo, që të mos përsëriten tmerret e së kaluarës…

Përgjigje: - Papa ngul këmbë mbi përsëritjen e mësimit tragjik të luftës, që bota nuk po e nxë kurrë, ose, më mirë të themi, nuk dëshiron ta mësojë. Këtë e kujtoi pak ditë më parë, gjë që e përsëriti edhe dje. Ndjehet nevoja të rifitohet vetëdija dramatike për luftën dhe pasojat e saj. Këtë luftë Françesku  e quan “vetëvrasje e njerëzimit”, në rastin për shembull, të një konflikti bërthamor. Tregon, kështu, se alarmohet shumë nga mungesa e vetëdijes përballë këtij rreziku të madh.








All the contents on this site are copyrighted ©.