2017-11-03 11:10:00

Akademia Papnore e Shkencave: shëndeti i popujve është përgjegjësia jonë


“Shëndeti i popujve, shëndeti i planetit: përgjegjësia jonë për ndryshimet e klimës, ndotjen e atmosferës dhe shëndetin”. Rreth kësaj teme po diskutojnë që dje e deri nesër, 4 nëntor, rreth 40 ekspertë, akademikë, punonjës shkencorë, juristë, politikanë, ardhur nga Evropa, Amerika, Azia, të ftuar nga Akademia Papnore e Shkencave në Vatikan.

         Që prej 20 vjetësh, ky institucion i Selisë së Shenjtë, në të cilin bëjnë pjesë studiues nga çdo fushë e dijes, besimtarë të feve të ndryshme dhe jo besimtarë, e ka ngritur zërin për rrezikun, që i vjen botës nga ngrohja e planetit, duke nënvizuar me forcë se nuk mjaftojnë masat e parashikuar nga konferenca për klimën COP21. Studiuesit u mblodhën në Vatikan, pikërisht para Konferencës së ardhshme të OKB-së për klimën, të ashtuquajturës COP23, që do të fillojë të hënën në Bon të Gjermanisë. Problemet e shkaktuara nga ndryshimet e klimës janë fakte të dokumentuara, nënvizon në mikrofonin tonë, kancelari i Akademisë, imzot Marcelo Sanchez Sorondo, i cili hapi dje punimet e asamblesë:

         Pikërisht për këtë arsye kemi mbledhur “ajkën” e ekspertëve të kësaj teme, por kemi ftuar edhe liderë politikë. Këtu ndodhen dy guvernatorë, ai i San Luis në Argjentinë dhe, ai i Kalifornisë në SHBA, dy rajone të ndryshme - njëri në veri e tjetri në jug – por shumë të vëmendshëm ndaj risive ambientale. Është fjala për të ndikuar mbi krerët politikë, por dikush e kupton e dikush jo: kinezët e kuptojnë, presidentë të tjerë jo… Është çështje kompromisi e fitimi, por edhe edukimi. Për shembull, nëse shohim popullsitë, që kanë edukim më të madh në nvielin shkencor, si Gjermania, aty, qëllon që edhe një shofer taksie të flet i shqetësuar për problemin e klimës. Në popullsi të tjera, që nuk kanë informacion të azhurnuar shkencor, rreziku që vjen nga ndryshimi i klimës mbetet vetëm opinion.

         Ndryshimi i klimës e ndotja e ambientit ndikon fuqimisht mbi shëndetin e popullsive. Pyetëm drejtoreshën e Departamentit të Shëndetit Publik dhe Ambientit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mjeken spanjolle, Maria Neria:

         Qeveritë nuk mund të thonë se nuk e dinë. Ka vite tashmë, që kemi bërë një studim, i cili dëshmon se 13 milion njerëz në vit vdesin për shkak të ndotjes së ambientit: të ndotjes të ujit, të ndotjes së ajrit… E kemi thënë edhe se ekzistojnë zgjidhjet: nëse marrim vendimet e duhura për llojin e energjisë, llojin e transportit publik, për mënyrën e zhvillimit të qyteteve, këto vdekje mund të pakësohen. Si po reagojnë qeveritë? Shpejtësia e reagimit nuk është ajo, që do të donim. Ka më tepër vetëdije, fillojnë nismat e para, por varet nga krerët, nga qeveritë qendrore. E megjithatë, ndryshimi i vërtetë duhet të vijë nga shoqëria. Ditën, që qytetarët të thotë: “Mjaft më, e kemi kuptuar se çështja e ambientit, e ndryshimit të klimës, e ndotjes së ajrit, nuk është vetëm për natyrën, por po infektohen mushkëritë e mia, po kompromentohet qarkullimi i gjakut tim, shëndeti im”, atë ditë ndryshimi do të jetë themelor, sepse vetë qytetarët do të bëjnë presion mbi politikanët për përgjigje më të rëndësishme e përfundimtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.