2017-11-02 18:03:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: vdekja


Filluam javës së kaluar një cikël me 10 këshillat e Papës Françesku për të rinjtë. Por sot është dita e të shuemëve, prandaj na u duk e arsyeshme ta vijojmë ciklin të enjten e javës së ardhshme e sot të flasim për një argument të vështirë, por kuptimplotë për të krishterin, për vdekjen.

         Sot vdekja paraqitet si një lloj tabuje, për të cilën s’duhet menduar aspak. Ndonjë predikator e përdor edhe keq këtë koncept, deri aty sa ta mbysë kënaqësinë për të jetuar, por në pjesën më të madhe të shoqërisë së sotme, po bëhet ç’është e mundur për ta mënjanuar, për të mos e takuar.

         Mjetet e komunikimit e shndërrojnë vdekjen në lajm, ose e spektakolarizojnë atë, por reflektojnë pak e nuk bëjnë asnjë lloj vlerësimi për humbjen e jetës. Njeriu i sotëm përpiqet të ndërtojë çdo lloj pengese mes tij dhe vdekjes, a thua se nuk është diçka që na takon të gjithëve, a thua se nuk jemi të gjithë “qenie të vdekshme”?

         Pasojë e kësaj gjendjeje është organizimi burokratik i vdekjes. Në të kaluarën, njerëzit vdisnin kryesisht në gjirin e familjes, vdekja përfaqësonte një ngjarje personale, mesazhin më të lartë të një njeriu dhe të gjithë, edhe të huajt, dinin si të silleshin. Arkivoli çohej (shpesh në krahë) e nuk dërgohej (shpesh me makinë) si pako postale në varreza. Kalonte nëpër rrugë me një procesion të ngadalshëm e dyqanet mbyllnin dyert në shenjë respekti.

         Sot, gjithçka u delegohet strukturave të ndryshme si spitaleve, azileve, firmave funebre dhe vdekja po bëhet kështu një ngjarje jo personale, gati mekanike e në shumë raste burim fitimi. Njeriu vdes larg nga të dashurit e vet, në një dhomë që s’është e tij e ku s’ka asgjë të tij, larg nga zhurmat e qytetit, a thua se gjatë kalimit në jetën e pasosur nuk duhet t’i dëgjojë ato. Të gjithë luajnë një rol, mbajtja e zisë nuk konsiderohet më e domosdoshme, prandaj pothuaj është zhdukur. Edhe i vdekuri duket sikur duhet të kërkojë falje, pasi i ka shkaktuar shqetësime dikujt.

         Njeriu është përpjekur gjithnjë të reflektojë mbi vdekjen, e gati instinktivisht, ka menduar gjithnjë se fati i vet nuk përfundon me të. Shumë filozofë kanë shprehur teori të ndryshme. Platoni mendonte se fati i njeriut fillon në momentin kur shpirti çlirohet nga trupi e më i fundit, Martin Haideger pyet nëse në vdekjen përmbahet sekreti i planit mbi njeriun.

         Por gjithnjë vdekja mbetet si një përvojë e skajshme, prandaj, sidomos fetë janë përpjekur të zgjidhin enigmën e saj, duke dhënë përgjigje të ndryshme, por me një perspektivë të përbashkët, atë të jetës së amshuar pas vdekjes. Feja e krishterë bazohet mbi këtë bindje origjinale: Krishti ka fituar mbi vdekjen me anë të vdekjes së vet. Koncili II i Vatikanit thotë: “Zoti e thërret njeriun që të shtrëngohet me të me krejt natyrën e tij, në një bashkim të vazhdueshëm me jetën e pakorruptuar hyjnore. Kjo është fitorja e Krishtit, i cili është ringjallur e kthyer në jetë, pasi e ka çliruar njeriun nga vdekja përmes vdekjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.