2017-11-02 00:00:00

Vdekja, kjo e panjohur…


Vdekja, kjo e panjohur…Asnjeri nuk mund të shpëtojë nga vdekja. E pra sot vdekja është fjala që kujtohet më pak. E papërmendshme! E të duket se as unë, as ti e as të dashurit e mi nuk do të vdesim kurrë. Arrijmë të besojmë se jemi të pavdekshëm Vdekja! Fjalë që shumëkush nuk dëshiron as ta kujtojë. E shumëkush do të dëshironte ta shlyente fare edhe nga faqet e fjalorit. Duke e zëvendësuar me fjalën “përjetësi”, mbi dhe, natyrisht. Me besimin se kështu nuk do ta takojmë kurrë më vdekjen, me kosën e tmerrshme mbi sup, në korrjen e përditshme të njerëzve të të gjitha moshave, në arat e jetës. E për ta harruar këtë shtegtim makabër, plaku e i sëmuri sot largohen nga shtëpia. Flaken në spitale a në strehë për pleq. Thua se i riu nuk do të plaket as nuk do të sëmuret. E, sidomos, nuk do të vdesë kurrë. Kështu njerëzit vdesin pa vdekur akoma.

Prej këndej, pyetja: “Vdekja a nuk është më fakt shoqëror?”. E përgjigjja: “Jo, u intereson vetëm familjarëve, madje as atyre, sepse të afërmit shuhen në spitale e duar të huaja, pa pikë dhembshurie, ua mbyllin sytë. Për ta nuk derdhet më asnjë pikë lot. E funeralet organizohen me frymë krejtësisht private. Jo më në shtëpi, si moti. Por, në rastin më të mirë në ndonjë kapelë spitali. E, prej aty, drejt e në varrezë. Për të mos trishtuar paqen e shtëpisë, ku të gjallët nuk duan asnjë trazirë! Thua se ai që shkoi nuk i përket kësaj shtëpie, së cilës ne s’duam t’ia hapim derën, nga frika se bashkë me të shuarin, do të na hyjë brenda vetë vdekja, Që s’duam t’ia kujtojmë as emrin”. E kësisoj vdekja zhvishet nga çdo ndjenjë njerëzore e shndërrohet thjesht në fakt biologjik e funerali ndiqet në mënyrë krejt pasive.

Kështu edhe në Shqipëri, ku dikur vdekja e të afërmit ndjehej fort e i vdekuri, i ri a plak, qahej me lot e me fjalë. Po tani, pak lotojnë e zakoni i huaj, i akullt, hyn gjithnjë më shumë në shtëpitë shqiptare.

Prej këndej pyetja: ç’propozoni, në famulli, për udhën e krishterë të të afërmëve të  vdekur?”. Ju kujtojmë se në famullitë e krishtera, së paku në disa prej tyre, një grup i vogël besimtarësh, me shumë maturi, mund të shkojë në shtëpinë vdekurit e, duke u kërkuar familjarëve lejën, të ndalet disa çaste, të lexojë Fjalën e Zotit e Psalmet e të vdekurve. Pastaj, gjithnjë me lutje e Psalme ta shoqërojë të vdekurin edhe në banesën e fundme, me vetëdijen se, heret a vonë, atje e kemi të gjithë cakun e fundmë të  shtegtimit tonë mbi këtë dhe!








All the contents on this site are copyrighted ©.