2017-11-02 15:47:00

Papa Françesku në emisionin “Ati ynë”: “ndjehem fëmijë, në duart e Zotit”


Dje, si çdo të mërkurë tashmë, Papa Françesku hapi emisionin “Ati Ynë” të televizionit katolik italian TV2000. Në intervistën me kapelanin e burgut të Padovës, don Marco Pozza, Ati i Shenjtë e shpjegon sipas mënyrës së tij lutjen, që Krishti ua mësoi dishepujve të vet. Intervista, e ndarë në pjesë, hap nëntë emisionet e menduara për të shpjeguar lutjen bazë të krishterimit. Mbrëmë, në orën 21.00, ajo hapi emisionin, në të cilin ishte i ftuar shkrimtari italian Erri De Luca.

         “Kur shkoj të lutem – thotë Papa në intervistë – nganjëherë më zë gjumi. I ndodhte edhe shën Terezinës së Krishtit Fëmijë. Ajo thoshte se Zotit, Atit Qiellor, i pëlqen kur na zë gjumi”.  “Është psalmi 129/130, ai i vogli – shton Bergoglio për TV2000 – që thotë se unë jam para Zotit si fëmija në krahët e të atit. Kjo është një nga mënyrat e shumta për ta shenjtëruar emrin e Zotit: duke e ndjerë veten fëmijë në duart e Tij”.

         Programi “Ati ynë” lindi në bashkëpunim me Sekretarinë e Selisë së Shenjtë për Komunikimin, pjesë e së cilës është edhe Radio Vatikani. Nga takimi e biseda e Papës Françesku me don Marco Pozza-n ka dalë libri me të njëjtin titull si emisioni televiziv, botuar nga Shtëpia Botuese italiane Rizzoli dhe nga ajo e Vatikanit, LEV. Në Itali, libri do të shpërndahet më 23 nëntor.

         Në takimin e mbrëmshëm me teleshikuesit, Papa Françesku flet për shenjtërimin e emrit të Zotit. Shpesh, nënvizon ai, “themi se jemi të krishterë, themi se e kemi një atë në qiell, por jetojmë, s’po them si kafshë, por si njerëz, që nuk besojnë as në Zotin, as në njeriun, si njerëz pa fe, që jetojnë edhe duke bërë keq, në urrejtje e jo në dashuri, në konkurrencë, në luftë. A shenjtërohet emri i Zotit ndër të krishterët, që luftojnë ndërmjet tyre për pushtet? A shenjtërohet në jetën e atyre, që paguajnë sikarë për t’u liruar nga ndonjë armik? A shenjtërohet në jetën e atyre, që nuk kujdesen për fëmijët e vet? Jo, aty nuk shenjtërohet emri i Zotit”, denoncon Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.