2017-11-01 13:40:00

Gjithë Shenjtorët: Papa, është festa jonë, lumnitë nuk janë për mbinjerëzit


“Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve ‘është festa jonë’, jo pse jemi të mirë, por pse shenjtëria e Zotit preku jetën tonë”. Këtë theksoi sot Papa Françesku që, duke shpjeguar domethënien e Festës së Gjithë Shenjtorëve, para lutjes së Engjëllit të Tënzot me besimtarët dhe shtegtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

“Shenjtorët - shtoi - nuk janë modele të përkryera, por njerëz të përshkuar nga drita e Zotit. Mund t’i krahasojmë me vetratat e kishave, prej nga drita  hyn me një simfoni ngjyrash. Shenjtorët janë vëllezërit e motrat tona, që e pranuan dritën e Zotit në zemrën e tyre e ia përcollën botës, secili “sipas ngjyrës” së vet. Por të gjithë qenë transparentë, luftuan për t’i pastruar njollat, për ta zhdukur errësirën e mëkatit, për t’i hapur, kështu, rrugën kalimit të dritës së fisme të Zotit. E ky është qëllimi i jetës, edhe për ne.

E sot, në Ungjill, Jezusi u drejtohet të vetëve, ne të gjithëve, duke na quajtur “të Lum”. Është fjala me të cilën nis predikimin, që është “Ungjlli”, lajmi i mirë, udha e lumturisë - kujtoi Papa - Kush është me Jezusin, është i bekuar, i lum. I lum nuk është ai, që ka shumë gjëra ose që është bërë dikushi, jo, lumnia e vërtetë është të rrish me Zotin e të jetosh për dashuri. A e besoni këtë? Atëherë, elementet që duhen për një jetë të lumtur, janë pikërisht lumturitë: lum të thjeshtët, të përvuajturit, që i bëjnë vend Zotit, që dinë të qajnë për të tjerët e për gabimet e veta, që mbeten gjithnjë të butë, që luftojnë për drejtësinë, që janë plot me mëshirë; lum ata, që e ruajnë pastrinë e zemrës, punojnë gjithnjë për paqen e mbeten plot gëzim, nuk urrejnë e, edhe kur vuajnë, i përgjigjen së keqes me të mirë.

Lumnitë - nënvizoi Papa - nuk kërkojnë bëma të bujshme, nuk janë për mbinjerëzit, por për ata, që jetojnë ditë për ditë prova e mundime. Kështu janë shenjtorët. Thithin, si të gjithë, ajrin e ndotur të së keqes, që nuk mungon kurrë në këtë botë, por udhës nuk i humbasin kurrë nga sytë   gjurmët e Jezusit, treguese të lumnive, që janë si hartë e jetës së krishterë. Sot është festa e atyre, që e kanë arritur cakun e treguar në këtë hartë: jo vetëm shenjtorët e kalendarit, por edhe shumë vëllezër e motra “të portës fqinje”, që ndoshta i kemi takuar e i kemi njohur. Është festë e familjes, festë e një mori njerëzish të thjeshtë e të fshehur, që në të vërtetë e ndihmojnë Zotin për ta çuar përpara botën. Po a janë edhe sot?

“Para së gjithash, thotë lumnia e parë, janë ‘të varfrit në shpirt’. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se nuk jetojnë për sukses, për pushtet, për para. E dinë mirëfilli se kush  mbledh thesare për vete, nuk pasurohet para syve të Zotit - vijoi Françesku. - Ndërkaq, besojnë se Zoti  është thesari i jetës së tyre. Dashuria për të afërmin, i vetmi burim fitimi. Nganjëherë shqetësohemi, kur na mungon diçka ose kur nuk vlerësohemi sa duhet. Të mos harrojmë: nuk është këtu lumturia jonë, por në Zotin e në dashuri. Vetëm me Të, vetëm duke e dashur, mund të jetosh i Lum.

Dëshroj, në fund, të kujtoj edhe një lumni tjetër – shtoi Papa - që nuk gjindet në Ungjill, por në fund të Biblës e flet për termin e jetës; “Lum të vdekurit, që vdesin në TënZonë” (Zb 14,13). Nesër jemi të thirrur t’i shoqërojmë me lutje të shuemët tanë, që të gëzojnë përgjithmonë në Zotin. I kujtojmë me mirënjohje të dashurit e vdekur e lutemi për ta. “Nëna e Zotit, Mbretëresha  e Shenjtorëve e Porta e Qiellit, ndërmjetësoftë për udhën tonë të shenjtërisë e për të dashurit tanë, që na paraprinë e janë nisur tashmë për në Atdheun qiellor”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.