Udha ekumenike e katolikëve dhe e luteranëve “ka sjellë kapërcimin e paragjykimeve, intensifikimin e mirëkuptimit të ndërsjelltë dhe arritjen e marrëveshjeve teologjike vendimtare”. Kështu pohojnë në një notë të përbashkët, Federata Luterane Botërore dhe Këshilli Papnor për nxitjen e Bashkimit ndërmjet të krishterëve, në përfundim të kremtimeve për 500-vjetorin e Reformës protestante.
Papa në Lund të Suedisë për lutjen luterano-katolike
Nota flet për një vit të karakterizuar nga ngjarje me rëndësi të madhe, vit i filluar më 31 tetor 2016, me lutjen luterano-katolike në Lund të Suedisë, në praninë e Papës Françesku, të kryetarit të atëhershëm të Federtaës Luterane, peshkopit Younan dhe të personaliteteve të tjera të krishtera. Ndër bekimet e këtij viti përkujtimor, në deklaratën e përbashkët përmendet “fakti që, për herë të parë, luteranë dhe katolikë e panë Reformën nga një perspektivë ekumenike”, duke bërë kështu të mundur “të kuptohen më mirë ngjarjet e shekullit XVI”, që çuan drejt ndarjes.
U forcua shërbimi i përbashkët në favor të nevojtarëve
Duke iu referuar pranisë së Papës në Lund, nota luterano-katolike kujton edhe se ditën e 31 tetorit 2016 u forcua shërbimi i përbashkët në favor të nevojtarëve, “falë marrëveshjes së nënshkruar nga Karitasi Ndërkombëtar dhe nga Shërbimi Ndërkombëtar i Federatës Botërore Luterane”. Më pas, vihet theksi mbi Deklaratën e përbashkët, nënshkruar në Lund nga Papa dhe nga kreu i luteranëve, ku të dyja palët vënë në dukje çështjen e vlefshmërisë së Eukaristisë për besimtarët e të dyja Kishave, në rastin kur e marrin atë në Kishën motër.
Vlefshmëria e Eukaristisë
“Shumë anëtarë të bashkësive tona aspirojnë ta marrin Eukaristinë në një tryezë të vetme, si shprehje konkrete e bashkimit të plotë. E ndjejmë dhimbjen e atyre, që ndajnë me njëri-tjetrin gjithë jetën, por nuk mund të ndajnë edhe praninë shpërblyese të Zotit në tryezën eukaristike. E pranojmë përgjegjësinë tonë të përbashkët baritore për t’iu përgjigjur etjes dhe urisë shpirtërore të popullit tonë për të qenë një i vetëm në Krishtin. Dëshirojmë me zjarr që kjo plagë në Korpin e Krishtit të shërohet. Ky është objektivi i përpjekjeve tona ekumenike, që duam të përparojnë edhe përmes impenjimit tonë të përtërirë për dialogun teologjik”.
Doktrina e justifikimit pranohet nga protestantët
Element tjetër kënaqësie për luteranët dhe katolikët është fakti se “Deklarata e përbashkët mbi doktrinën e justifikimit, nënshkruar solemnisht nga Federata Luterane Botërore dhe nga Kisha romano-katolike në vitin 1999 – lexohet në notën e sotme – është nënshkruar edhe nga Këshilli Metodist Botëror në vitin 1006 e, gjatë këtij viti përkujtimor për Reformën, edhe nga Bashkimi Botëror i Kishave të Reformuara.
Po sot – kujton nota – Deklarata pranohet dhe miratohet nga Bashkimi Anglikan, gjatë një ceremonie solemne në Abacinë e Uestminsterit. Mbi këtë bazë, bashkësitë tona të krishtera mund të krijojnë një lidhje gjithnjë e më të ngushtë konsensusi shpirtëror dhe dëshmie të përbashkët në shërbim të Ungjillit”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |