2017-10-31 12:46:00

Papa Françesku në Shën Martë: për mbretërinë e Zotit duhet guxim, jo baritori konservimi


Që të rritet Mbretëria e Hyjit, duhet të hidhet me guxim fara e senapit e të përzjehet mirë tharmi në brum. Por, shumë herë, pëlqehet baritoria e konservimit. Ky, fragmenti kryesor i homelisë së Papës Françesku gjatë Meshës së sotme të mëngjesit, kremtuar në Shën Martë. Duke e marrë shtytjen nga Ungjilli i sotëm (Luka, 13,18-21), në të cilin Jezusi e krahason Mbretërinë e Zotit me farëzën e senapit e me tharmin, Papa vërejti se të dy këta elemente janë fare të vegjël, por kanë brenda vetes një forcë që shpërthen, lëshon shtat, rritet. Kështu  ndodh edhe me Mbretërinë e Zotit: fuqia e saj vjen nga brenda.

Edhe Shën Pali, në Letrën drejtuar Romakëve, propozuar sot nga Leximi I, vë në dukje sa shumë tensione provon njeriu në jetë: vuajtje, mundime, por të cilat nuk mund as të krahasohen me lumninë, që na pret. Bëhet fjalë, pra, për tensionin ndërmjet vuajtjes e lavdisë. Në këtë tension nuk mungon kurrë pritshmëria e ndritshme, shpresa e “zbulesës madhështore të Mbretërisë së Zotit”. E nuk jemi vetëm ne, që jetojmë në pritje - kujtoi Françesku - por edhe krijesa. Edhe ajo i nënshtrohet skllavërisë së shkatërimit, e, ashtu si ne, priret drejt zbulimit të bijve të Zotit. Është forca shpirtërore, që na çon tek shpresa  e përsosurisë së Mbretërisë së Zotit, e kjo forcë buron nga Shpirti Shenjt.

“Është pikërisht shpresa, ajo që na çon në përkryerje, shpresa për të dalë nga ky burg, nga ky kufizim, nga kjo skllavëri, nga kjo prishje e për të arritur në lumni: është udha e shpresës. Shpresa është dhuratë e Shpirtit Shenjt”.

E Shpirtit Shenjt, që është brenda nesh, na e ngjall këtë shpresë e na çon drejt një gjëje madhështore, drejt çlirimit, drejt lumnisë së madhe. E pikërisht për këtë, Jezusi thotë: “Brenda farës së senapit, kësaj fare të vockël, është forca, prej nga shpërthen rritja e pandalshme".

Brenda nesh e në krijim - pohoi Papa - është një forcë shpërthimtare e papërfytyrueshme. Shpirti Shenjt, që na jep shpresë. E Françesku shpjegoi konkretisht ç’do të thotë të jetosh në shpresë. Do të thotë t’i lësh këto forca  të Shpirtit të na ndihmojnë të rritemi, të shkojmë drejt përsosurisë, që na pret në lavdi. Por ashtu si tharmi duhet përzjerë e fara e senapit duhet hedhur në dhe, sepse përndryshe forca e brendshme mbetet aty, kështu ndodh edhe me Mbretërinë e Zotit, që rritet në shpirtin tonë, jo për prozelitizëm – vërejti Papa:

“Rritet në shpirtin tonë me forcën e Shpirtit Shenjt. E Kisha pati gjithnjë guximin si për të marrë e për të hedhë, ashtu edhe për të marrë e për të përzjerë, pati guximin për të bërë. Por shumë herë vërejmë se pëlqehet më shumë baritoria e konservimit, e jo ajo, që e lë Mbretërinë të rritet. Kështu mbetemi këta që jemi, të vegjël, aty ku jemi, sepse ndjehemi më të sigurt… E mbretëria nuk rritet. Ngaqë, për t’u rritur, duhet guxim: duhet hedhur fara e senapit e duhet përzjerë tharmi në brum”.

Është e vërtetë edhe se, po u hodh fara, humbet, e po u përzje tharmi “të ndoten duart” - theksoi Papa - sepse nuk mungon kurrë edhe ndonjë humbje, kur mbillet Mbretëria e Zotit.

Mjerë ata, që e predikojnë Mbretërinë e Zotit me shpresën se nuk do t’i ndotin kurrë duart! Këta janë roje muzeumesh: ua kënda gjërat e bukura, të mbyllura në kuti qelqi, jo gjestin e të hedhurit, që forca të shpërthejë me vrull; e as të përzjerjes, që forca ta tharë e ta rrisë brumin. Ky është mesazhi i Jezusit e i Palit, ky tension, që shkon nga skllavëria e mëkatit, në plotninë e lavdisë. E shpresa është ajo që shkon përpara, që nuk të zhgënjen, sepse shpresa është tejet e vogël, e vogël, si fara e senapit; e vogël, si tharmi!

Shpresa është virtyti më i përvuajtur, është shërbëtorja, por ku është shpresa, aty është edhe Shpirti Shenjt, që e çon përpara Mbretërinë e Zotit. Papa, si zakonisht, përfundoi duke i ftuar besimtarët t’i bëjnë vetes disa pyetje. E sot, të pyesin nëse besojnë në shpresën, që është Shpirti Shenjt, “me të cilin mund e duhet të flasim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.