2017-10-30 16:38:00

Papa: armë bërthamore? Njerëzimi ka rrezik të vetëvritet


“Njerëzimi ka mbi krye rrezikun e vetëvrasjes”. Kështu tha Papa Françesku, gjatë vizitës së tij të sotme në Dikasterin vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, duke iu referuar kërcënimit të armëve bërthamore.

Pas gazetave italiane dhe pas deklaratës së Sallës së Shtypit të Vatikanit, që sqaron se Ati i Shenjtë nuk është ndërmjetësues në çështjen Kore e Veriut – SHBA, vetë Papa përmendi Takimin e nivelit të lartë, që do të mbahet në Vatikan, më 10 e 11 nëntor. I kushtohet pikërisht çarmatosjes bërthamore. Por, më gjerësisht për fjalët e Atit të Shenjtë na flet, zv.sekretarja e Dikasterit për Zhvillimin Njerëzor, Flaminia Giovanelli:

Papa nënvizoi edhe një herë, siç bën zakonisht, fenomenin e tregtisë së armëve. Denoncoi sërish tregtinë e armëve, që nxit dhe mban gjallë vatrat e konflikteve. Përsëriti se “Jemi në një luftë të vërtetë!”. E duke folur për armët bërthamore - kërcënim i pranishëm prej dhjetra vitesh tashmë, por që bëhet edhe më akut në çastet aktuale - përdori fjalën “vetëvrasje e njerëzimit”, pra, njerëzimi po shkon drejt rrezikut të vetëvrasjes. Janë fjalë të fuqishme.

Si lindi ideja e Konferencës së nëntorit në Vatikan?

Lindi me dëshirën për të vijuar impenjimin e marrë nga Selia e Shenjtë me nënshkrimin e Traktatit për ndalimin e armëve bërthamore, në shtator të këtij viti. Edhe vetë Papa Françesku deshi ta nënvizojë këtë firmë, simbolike, por shumë pozitive. Pastaj, jetojmë në periudhën e ashpërsimit të krizës bërthamore, prandaj Takimi ka rëndësi të dorës së parë. Na janë përgjigjur shumë personalitete të bashkësisë ndërkombëtare. Vijnë 11 Çmime Nobel e do të kemi dëshmi edhe nga të mbijetuarit e tragjedisë së Hiroshimës.







All the contents on this site are copyrighted ©.