2017-10-27 17:14:00

Dialog në Vatikan për Evropën. Kardinali Marx: Evropë shiko drejt së ardhmes!


"Qytetari, e njeriu në përgjithësi, duhen vënë përsëri në qendër të atij, që njihet si “Projekt i Evropës”, për të qenë autorë, me të drejta të plota”.  Kështu u shpreh Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Munih-Frisingës e president i Comece (Komisionit të Konferencave ipeshkvnore të B.E-së), duke paraqitur sot, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, dialogun “(Re)Thinking Europe" - “Ta rimendojmë Evropën”. Ngjarja u organizua në Vatikan, nga vetë Comece, në bashkëpunim me Sekretarinë e Shtetit të Shenjtërisë së Tij. Punimet - me 350 pjesëmarrës, ndërmjet të cilëve, politikanë, rregulltarë, diplomatë, përfaqësues të organizatave e lëvizjeve të ndryshme - u hap sot pasdite, në Sallën e re të Sinodit, me fjalën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin. Nesër pasdite, audienca tek Papa. Të dielën, Mesha përfundimtare, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit.

“Shqetësimi dhe interesimi i Papës për Evropën njihen mirë, sepse Ati i Shenjtë ka folur gjithnjë për të, në raste nga më të ndryshmet” - kujtoi kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, duke marrë fjalën në paraqitje. Ndërsa kardinali Marx kujtoi, në vijim, se duke folur për Evropën, Françesku e përshkruan si “gjyshe”. Sfida e Kontinetit të Vjetër - vijoi - nuk është vetëm të ruajë e të mbrojë atë, që ka arritur, por edhe t’u dorëzojë breznive të ardhshme pasurinë e përvojës së saj dhe t’i inkurajojë të rinisin me guxim udhën drejt së ardhmes.

Besoj se me këtë figurë - vijoi të shpjegojë Hirësia e Tij - Papa deshi të thoshte: “Evropë, shiko ardhmërinë! E ardhmëria është jeta!”. Ne jemi kontinent me jetë tejet të varfër, e nuk është thjesht çështja e abortit  dhe e dinjitetit të jetës, nga fillimi - në fund, por kryesisht problemi i sjelljes sonë. Duhet ta shikojmë me dashuri e shpresë jetën! Besoj se Papa deshi të nënvizojë pikërisht këtë. Besoj se Evropa do të bënte mirë të mos përqendrohej tek e kaluara, tek siguria, tek muret, por të mendonte për mundësitë, për ardhmërinë. "Ky, shpirti që kërkon Papa për Evropën”.

Nga ana tjetër, Kontinenti i vjetër sot karakterizohet nga rikthimi i populizmave, nga shtytjet indipendentiste, copëzimi brenda vetes: Austria, Katalonja, Brexit janë disa nga shembujt. Duke pasur parasysh se në populizma politikanët paraqesin atë, që populli dëshiron ta dëgjojë, por që nuk është gjithnjë e vërteta ose gjithçka duhet komunikuar, nacionalizmi jo i drejtë duhet çkurajuar e populizmi, si strategji politike, është pak i këshillueshëm. Selia e Shenjtë është jashtë politikave partijake, por politika si shkencë është krejt relative.

Kardinali Marx kujtoi sfidat e gjithë Evropës së sotme, si ndryshimet klimaterike, ndikimin e teknologjve të reja mbi botën e punës dhe papunësinë e lartë në radhët e të rinjve.  Pa harruar edhe emigrantët e duke nënvizuar se duhen ndihmuar, duhen trajtuar si njerëz, “pa shikuar fenë që praktikojnë, sepse çdo njeri është shëmbëllim i vetë Zotit”. “E optika e Jezusit na mëson pikërisht të mendojmë jo vetëm për ardhmërinë tonë, por edhe për  ardhmërinë e këtyre emigrantëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.