2017-10-26 12:08:00

Papa në Shën Martë: “nuk ka të krishterë të qetë, që nuk luftojnë”.


“Jezusi na bën thirrje ta ndryshojmë jetën, ta ndryshojmë rrugën, na bën thirrje për kthim në rrugën e Zotit”. E kjo kërkon të luftojmë kundër së keqes, edhe në zemrën tonë, “luftë që nuk të jep prehje, por të jep paqe”. Kështu u shpreh Papa në Meshën e sotme të mëngjesit, kremtuar në Shën Martë, duke shpjeguar se ky është “zjarri”, që Jezusi  e kall mbi tokë. Zjarr, që të kërkon të ndryshosh.

Kujtojmë se në kremtim, ashtu si dje në audiencën e përgjithshme, ishin përsëri të pranishëm edhe ipeshkvijtë e rinj shqiptarë: ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta; i Sapës, imzot Simon Kulli dhe i Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut, imzot Giovanni Peragine.

E Papa, në vijim, u kërkoi besimtarëve të ndryshojnë mënyrën e mendimit, të ndryshojnë mënyrën e kuptimit. Zemra jote, që i përkiste botës, që ishte pagane, bëhet tani e krishterë, me forcën e Krishtit: të ndërrosh rrugë, kjo do të thotë të ecësh në rrugën e Zotit, të ndërrosh mënyrën e veprimit: veprat tua duhet të ndryshojnë.

E kjo kthesë - nënvizoi Papa Françesku - përfshin gjithçka, korp e shpirt: “Është ndryshim, por që nuk bëhet me truk: ndryshim, që e bën Shpirti Shenjt përbrenda nesh. E edhe unë duhet të bëj timen, që Shpirti Shenjt të mund të veprojë, gjë që do të thotë të luftosh, të luftosh!”.

“Nuk ka të krishterë të qetë, që nuk e dinë ç’është lufta - shtoi Papa - ata, që s’e njohin luftën, nuk janë të krishterë, janë ‘të vakët’”. Qetësinë e gjumit të thellë mund ta gjesh edhe duke pirë një hapje - vijoi - por nuk ka hapje, që mund të të japë paqen e shpirtit! Vetëm Shpirti Shenjt  mund të ta japë paqen, që i mbush të krishterët me qëndresë. E ne duhet ta ndihmojmë Shpirtin Shenjt  - nxiti Papa - duke i bërë vend në zemrën tonë.  E çka na ndihmon shumë në këtë përpjekje, është rrëmimi i përditshëm i ndërgjegjes. Ky rrëmim na bëhet krah në luftën kundër sëmundjeve të shpirtit, atyre, të cilat i mbjell armiku e që janë sëmundjet e botës. “Lufta që solli Jezusi kundër djallit, kundër së keqes - kujtoi Papa - nuk është gjë e lashtë, është gjë shumë moderne, gjë e sotme, e përditshme” sepse ky zjarr, të cilin Jezusi erdhi ta kallë, është në zemrat tona”. Prandaj duhet ta  lëmë të hyjë e ta pyesim çdo ditë veten si kalova nga mendësia e botës, nga mëkati, në hir e si i bëra vend Shpirtit Shenjt, që të mund të vepronte”:

“Vështirësitë e jetës sonë nuk kapërcehen duke e zbutur të vërtetën. E vërteta është kjo: Jezusi solli zjarr e luftë. E unë, ç’duhet të bëj?”.

Për t’u kthyer në rrugën e Zotit - përfundoi Françesku - duhet të kesh zemër bujare e besnike, plot me bujarinë, që buron gjithnjë nga dashuria e  besnikëria ndaj Fjalës së Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.