2017-10-26 08:30:00

Kard. Marx (Comece): kontributi i krishterë për të ardhmen e BE-së


Të premten hapet në Vatikan, Kongresi “Të rimendojmë Evropën: kontributi i krishterë për të ardhmen e BE-së”, organizuar nga Komisioni i episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece) në bashkëpunim me Selinë e Shenjtë, me rastin e 60-vjetorit të nënshkrimit të traktateve të Romës (25 mars 1957). Në prag të punimeve, ia drejtuam mikrofonin kryetarit të Comece-s, kardinalit Reinhard Marx.

Takim për Evropën: “Nuk mund të kthehemi mbrapsht”

Evropa duhet të vijojë zhvillimin e vet, nuk ka kthim mbrapsht, nënvizon kardinali Marx, duke iu referuar takimit, që do të mbahet nga 27 deri më 29 tetor, me titull “(Re)-thinking Europe” (Ta rimendojmë Evropën). Duhet guxim për t’i dhënë hov të ri kontinentit të vjetër, sepse Evropa nuk është më ajo zonë “e lumtur” e disa viteve më parë. Ka më pak optimizëm për bashkimin dhe integrimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e shtohet prirja për shkëputje.

“Evropa është një projekt – nënvizon kardinali Marx. Një projekt nga i cili nuk duhet të heqim dorë. Është përvojë unike në historinë e njerëzimit fakti, që popuj e kombe kanë vendosur lirisht të lënë mënjanë një pjesë të sovranitetit të tyre për të punuar së bashku. Janë zotuar të mos i shpallin më kurrë luftë njëri-tjetrit, por të bashkëpunojnë për të arritur përfitime e mirëqënie për çdo popull, në respekt të të drejtave të njeriut e të demokracisë, me ndihmën e Kushtetutave e të Shtetit të së Drejtës. E kjo është madhështore. Nganjëherë, duhet ta kujtojmë këtë, sepse prirja për ta harruar është tepër e fortë…”.

Prelati vë theksin mbi një aspekt të dytë: nevojën për solidaritet e susidiaritet më të madh në Evropë. Dy koncepte, që lidhen ngushtë me Doktrinën Shoqërore të Kishës Katolike.

Më tepër solidaritet

“Cilat janë vlerat themelore mbi të cilat bazohet Evropa?”, pyet kryetari i Comece-s. Sipas kardinalit Marx, evropianët duhet t’i dëshmojnë botës cilat janë parimet e zhvillimit njerëzor, sidomos tani, në një çast kur zëri i SHBA-ve ka ndryshuar. Le të mendojmë për çështjen e klimës, për problemin e varfërisë, për brezat e ardhshëm. Evropës i takon përgjegjësia e shtrimit të këtyre çështjeve për zgjidhje, siç do të theksojë edhe Papa Françesku, i cili do t’u flasë pjesëmarrësve të Kongresit të shtunën.

Kisha Katolike nuk dëshiron kthim mbrapa

Kardinali Reinhard Marx nuk sheh mundësi për kthim mbrapa. Do të ishte rrugë e gabuar, sipas tij. Evropa duhet të ecë përpara, por jo si një “gjyshe shterpë”, siç e pati quajtur Papa Françesku, duke shkaktuar jo pak komente.

“Shqetësimi i Papës, që fshihet pas kësaj mënyre të shprehuri, – nënvizon kardinali Marx, në mikrofonin e Radio Vatikanit – është: a ka akoma dëshirë Evropa për të ndërtuar të ardhmen e jetën? Përgjigjja jepet përmes gatishmërisë për të formuar familje, për të nxjerrë në dritë fëmijë…Kjo është nxitje e rëndësishme. Evropë, ti je pjesë e së ardhmes! Mos u tërhiq në botën tënde të mbyllur. Mos e mbro mirëqënien tënde, duke e kthyer në mur. Evropa mbyllet brenda mureve të veta e nuk i intereson ç’ndodh përreth saj: kjo është shterpësi. Shën Gjon Pali II pati përsëritur shpesh: ‘Evropë do të thotë hapje’. Kjo shprehje është feneri, që udhëheq impenjimin kishtar për Evropën”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.