2017-10-25 13:25:00

Papa Françesku: “Parajsa nuk është vend magjik e as punë përrallash”.


“Parajsa nuk është vend përrallor, e as kopsht magjik. Është përqafim me Zotin, Dashurinë e  pambaruar, ku hyjmë falë Jezusit, që vdiq në kryq për ne”. E shpjegoi Papa në pjesën përfundimtare të audiencës së sotme të përgjithshme, në të cilën ishin të pranishëm edhe ipeshkvijtë e rinj shqiptarë Imzot Gjergj Meta, imzot Simon Kulli dhe imzot Giovanni Peragine, përkatësisht ipeshkvi i Rrëshenit, i Sapës dhe i Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut.

Në vijim të katekizmit, Papa pohoi: “Ku është Jezusi, aty është edhe mëshira e lumturia! Ku nuk është Ai, është errësirë e acar”. “Në orën e vdekjes, i krishteri i përsërit Jezusit: ‘Kujtoju për mua!’” - vijoi Françesku - duke cituar fjalët e hajdutit të mirë, kryqëzuar pranë Krishtit. “Edhe nëse askush nuk do të kujtohet më për ne, Jezusi është aty, pranë  nesh. Dëshiron të na çojë në vendin më të bukur, që ekziston. Dëshiron të na çojë atje, me gjithë jetën tonë, sado e keqe të ketë qenë, që asgjë të mos humbasë nga gjithçka e shpërbleu. E në shtëpinë e Atit do të çojë edhe gjithçka tonën, që ka akoma nevojë për shëlbim: mungesat e gabimet e një jete të tërë”. Ky është caku i jetës sonë, ku përmbushet gjithçka e gjithçka shndërrohet në dashuri - kujtoi Papa. – “Po ta besojmë këtë, vdekja nuk do të na trembë më e do të shpresojmë se mund të nisemi nga kjo botë qetë-qetë, plot siguri”. Kush njohu Jezusin, nuk ka më frikë nga asgjë - siguroi. - E do të mund të përsërisim edhe ne fjalët e Simeonit plak, edhe ai i bekuar nga takimi me Jezusin, pas një jete të tërë, kaluar në pritje të këtij çasti: “Tani, o Zot, mund ta lejosh shërbëtorin tënd të vdesë në paqe, siç the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin, që ti e bëre gati para të gjithë popujve”. E në atë çast, më në fund, nuk do të kemi më nevojë për asgjë, nuk do të shikojmë më pështjellueshëm. E as do të qajmë më kot, sepse gjithçka ka kaluar. Edhe profecitë e edhe dijet. Por nuk ka kaluar e as nuk kalon kurrë dashuria. Kjo mbetet. Sepse dashuria nuk do të ketë kurrë mbarim!








All the contents on this site are copyrighted ©.