2017-10-25 13:32:00

Papa: audienca e përgjithshme: nuk ka njeri, që t’i mohohet hiri, sado keq të ketë jetuar.


Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa pohoi edhe se nuk ka njeri që t’i mohohet hiri. “Hajduti i mirë na kujton  kush jemi para syve të Zotit: jemi bij, për të cilët ka mëshirë e para të cilëve çarmatoset kur i kujtojmë sa mall kemi për dashurinë e tij”. Në dhomat e trishta të shumë spitaleve a në qelitë e zymta të burgjeve - siguroi Françesku -  kjo mrekulli përsëritet mijëra e mijëra herë: nuk ka njeri, sado keqas të ketë jetuar, që  të përfundojë i vetëm, me dëshpërimin e vet e t’i mohohet hiri. Para Zotit paraqitemi të gjithë me duar bosh. Pak a shumë si publikani i shëmbëlltyrës, që ishte ndaluar për t’u lutur në fund të Tempullit - pohoi Papa. - E sa herë që njeriu, duke bërë rrëmimin e  fundmë të ndërgjegjes në jetën e tij, zbulon se mungesat ua kalojnë shumëfish veprave të mira, nuk duhet të çkurajohet, por të besojë në mëshirën e Zotit. E kjo na jep shpresë, na e hap zemrën - brohoriti Françesku, duke u shkëputur nga teksti zyrtar i audiencës. - “Zoti është atë e pret deri në fund të fundit kthimin tonë” - vijoi - duke cituar edhe një herë njërën nga shëmbëlltyrat që i pëlqen më shumë, atë të djalit plangprishës, që kthehet e nis e tregon fajet e veta e Ati ia mbyll gojën me një përqafim. “Ky është Zoti, e kështu di të na dojë!” - ishte komenti tjetër, shqiptuar lirisht nga Papa. 

Në përfundim, në këtë fund tetori, Françesku u kujtoi besimtarëve të mos e harrojnë Rruzaren.

Duke iu drejtuar të rinjve, uroi që kjo lutje mariane t’i ndihmojë për të depërtuar më thellë në misterin e Krishtit, veprues në jetën e tyre;

“Duajeni Rruzaren” - i ftoi të sëmurët - sepse u jep ngushëllim e kuptim vuajtjeve tuaja;

duke i drejtuar përshëndetjen çifteve të reja, Françesku uroi që Rruzarja “të bëhet rast i zgjedhur për ta provuar atë intimitet shpirtëror me Zotin, që themelon një familje të re”.








All the contents on this site are copyrighted ©.