2017-10-24 00:00:00

Papa Françesku: intervistat e mia kanë vlerë baritore. Spadaro: ua vë mirë veshin njerëzve


“Për mua intervistat kanë gjithnjë vlerë baritore. Po të mos e kisha këtë besim, nuk do të jepja intervista”. Këtë nënvizon Papa Françesku në parathënien e vëllimit – shtypur nga Rizzoli – “Tani mund të bëni pyetjet tuaja!”, nën kujdesin e atë Antonio Spadaros e që u paraqit në selinë e revistës së mirënjohur të jezuitëve "La Civiltà Cattolica" (“Qytetërimi Katolik”).

Jorge Mario Bergoglio kujton se, kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Aires, “i kishte paksa frikë gazetarët”, prandaj edhe nuk u jepte intervista. Por kur u bë Papë, iu mbush mendja se intervistat ishin një nga mënyrat për ta komunikuar shërbesën e tij. E, në mënyrë domethënëse, u jep këtyre bisedave në intervista, formën e përditshme të homelive mbajtur në Shën Martë, e cila, - kujton - është famullia ime.  Françesku nënvizon se në intervistat e tij, ashtu si edhe në konferencat e shtypit gjatë fluturimeve me avion nëpër botë - i pëlqen t’i shikojë njerëzit në sy e t’u përgjigjet sinqerisht pyetjeve. “E di se kjo mund të më cenojë – shton - por është rrezik që dua ta përballoj”.

Për mua - vijon Papa Bergoglio – intervistat janë dialog, janë mësim. Ja, pra, pse nuk përgatitem. Në libër përfshihen edhe dy biseda me eprorë të përgjithshëm  rregulltarësh. “Fornma e bisedës - shkruan Françesku - më është dukur gjithnjë mënyra më e mirë për t’u takuar me njeriun”.

Mund të lexohen edhe bisedime me jezuitët, ndërmjet të cilëve - shkruan Papa - ndjehem si në familje, flas me gjuhën, që përdoret rëndom në familje e nuk trembem nga keqkuptimet. Papa e përfundon hyrjen e vëllimit, duke rikujtuar se dëshiron një Kishë, që di të bisedojë me e si njerëzit, që di të dialogojë. Është ”Kisha e Emmaus”, në të cilën Jezusi “interviston” dishepujt, që ecin të çkurajuar. Për mua, intervista është pjesë e kësaj bisede të Kishës me njerëzit e sotëm”.

Mbi domethënien e intervistave të Papës Françesku, intervistuam atë Antonio Spadaron:

Papa Françesku i do intervistat, sepse kanë pyetjet e njerëzve. Nganjëherë gazetarët bëhen ndërmjetës të pyetjeve, që janë të rëndësishme për njerëzit, edhe për njerëzit e thjeshtë. Prandaj Papa pranon të japë intervista e t’u përgjigjet gazetarëve, sepse kështu mund t’u flasë drejtpërdrejt njerëzve.

Papa, në parathënie, sqaron se i pëlqen të shkojë i papërgatitur në intervista: ajo, që ka rëndësi, thotë, është ta shikojë tjetrin drejt në sy. Është kultura e takimit….

Po. Por sidomos, ai dëgjon pyetjet. Në fund, i pëlqen t’i bëhen jo aq për t’u dhënë përgjigje të saktë, sa për të dëgjuar ç’kanë për të thënë njerëzit. E pastaj i kushton vëmendje të madhe përgjigjes së vetë pyetjes, domethënë, Papa nuk u përgjigjet dyshimeve false, ose atyre që nuk komunikojnë ndonjë shqetësim. I përgjigjet vetë shqetësimit. Atij të vërtetit!








All the contents on this site are copyrighted ©.