2017-10-23 17:36:00

Përkthimi i Teksteve Liturgjike. Papa Françesku i shkruan kard. Sarah për “Magnum Principium”


Papa Françesku i dërgon një letër kardinalit Robert Sarah për t’i shprehur “thjesht” e “qartë” disa vërejtje mbi Motu proprion Magnum Principium, mbi përkthimet e teksteve liturgjike dhe të  teksteve biblike. Në dokumentin - që u bë i njohur nga Salla vatikanase e Shtypit - drejtuar prefektit të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, kardinalit Sarah, Papa nënvizon posaçërisht “ndryshimin e plotë” që vendos Motu proprio e re ndërmjet recognitio (verifikimit) dhe confirmatio (vërtetimit). Këto dy fjalë nuk janë “sinonime”, as “të ndërkëmbyeshme”. E kjo bëhet për të “shfuqizuar” praktikën e adoptuar nga Dikasteri pas Liturgiam authenticam, të cilën Motu proprio e re dëshiron ta modifikojë.

 Lidhur me përgjigjësinë e Konferencave Ipeshkvnore për të përkthyer fideliter (besnikërisht) tekstet liturgjike - vëren Françesku - duhet saktësuar se gjykimi lidhur me besnikërinë ndaj latinishtes dhe korrigjimet e nevojshme, ishte detyrë e Dikasterit, ndërsa tani norma u krijon Konferencave Ipeshkvnore mundësinë të gjykojnë si mbi besnikërinë, ashtu edhe mbi korrigjimet në përkthimet nga origjinali, edhe pse në dialog me Selinë e Shenjtë.  Confirmatio, shton Papa - nuk nënkupton më shqyrtimin e hollësishëm fjalë për fjalë, duke përjashtuar vetëm rastet, që mund të paraqiten nga ipeshkvijtë ‘për reflektim të mëtejshëm”. E kjo - lexohet akoma në letër - vlen posaçërisht për formulat e rëndësishme, si Lutjet Eukaristike e, në veçanti, formulat sakramentore të miratuara nga vetë Ati i Shenjtë.

Në këtë kuptim - pohon Françesku - recognitio “tregon vetëm verifikimin dhe mbrojtjen e përkimit me të drejtën dhe me bashkimin e Kishës”. Ja pra pse - shton - procesi i përkthimit të teksteve liturgjike të rëndësishme (për shembull, i formulave sakramentale, Besojmës, Atynës) në një gjuhë - nga e cila konsiderohen si përkthime autentike, nuk duhet të çojë në frymën e “diktatit” ndaj Konferencave Ipeshkvnore lidhur me një përkthim të bërë nga dikasteri, sepse kjo do të cënonte të drejtën e Ipeshkvijve”. Për Papën, do të ishte e pasaktë t’i atribuohej confermatio-s qëllimi i recognitios (apo i verifikimit dhe mbrojtjes sipas së drejtës).

Confirmatio, vëren akoma, nuk është akt thjesht formal, por i nevojshëm për botimin e librit “të përkthyer” liturgjik: pranohet, pasi varianti t’i nënshtrohet Selisë Apostolike për ratifikimin e miratimit nga ana e Ipeshkvijve, me frymën e dialogut e të ndihmës për të reflektuar, nëse do të jetë e nevojshme, duke respektuar të drejtat dhe detyrat e duke pasur parasysh ligjshmërinë e procesit të ndjekur si dhe të modalitetit të tij.

Papa ndalohet, në fund, tek nota “Comentaire”, përcjellë nga kardinali Sarah Papës më 30 shtatorin e kaluar, botuar në disa faqe interneti e paraqitur gabimisht si e tija.

“Ju kërkoj dashamirësisht - përfundon Papa, duke iu drejtuar kardinalit – të merrni masat e duhura për përhapjen e përgjigjes sime në faqet e internetit, përveçse duke ua dërguar edhe të gjitha Konferencave Ipeshkvore, Anëtarëve dhe Këshilltarëve të këtij Dikasteri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.