2017-10-23 13:40:00

Ndryshimet e klimës: Papa kërkon përgjigje të menjëhershme dhe të frytshme


U hap sot në Romë, Summit-i ndërkombëtar me temë “Uji dhe klima. Takim kushtuar lumenjve të mëdhenj të botës”. Papa Françesku kërkon përgjigje të menjëhershme dhe të frytshme përmes një mesazhi, që u lexua nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Pjesëmarrësve të Summit-it, të cilët reflektojnë për rrugët e ruajtjes së ujit edhe për të ardhmen e njerëzimit, Ati i Shenjtë iu uron që “impenjimi i përbashkët për të sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare rreth problemeve urgjente të pellgjeve lumore më të rëndësishme të botës, jo vetëm të çojë drejt zgjidhjeve praktike, por të vërë në dukje edhe nevojën për një qasje gjithnjë e më të gjithanshme, në kuadrin e promovimit të zhvillimit e të përhapjes së ‘kulturës së kujdesit’ (Laudato si’, n.231)”.

Mbledhja organizohet nga Ministria italiane e Ambientit, në bashkëpunim me organizata të ndryshme ndërkombëtare. Përfaqësuesit e pellgjeve më të mëdha lumore të botës mblidhen në Itali për një dialog konstruktiv mbi të ardhmen e ujit, që kërcënohet vazhdimisht nga ndryshimet e klimës, të cilat, kohët e fundit, shkaktojnë shpesh përmbytje e thatësira, duke shkatërruar ekosisteme, që u kanë rezistuar shekujve. Jo më kot është zgjedhur Roma, ku ndodhet shatërvani i famshëm i Katër Lumenjve në Piazza Navona, me autor Gian Lorenzo Berninin. Skulptura e njohur e vitit 1651 përfaqëson katër lumenjtë më të mëdhenj të njohur deri atëherë në botë: Nilin (Afrikë), Danubin (Evropë), Ganxhin (Azi) dhe Rio de la Plata (Amerikë).

Takimi i Romës synon të krijojë një vizion të përbashkët në kuadrin e përgatitjeve për Summit-in e ardhshëm COP 23, që do të mbahet në Bon të Gjermanisë në nëntor, si edhe të Forumit Botëror të Ujit, që do të mbahet në Brazilia, në mars 2018.








All the contents on this site are copyrighted ©.