2017-10-20 11:01:00

Më 20 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Irenën, martire


Duke shfletuar kalendarin, më 20 tetor, Kisha katolike përkujton Shën Irenën e Portugalisë, martire. Në kalendarin e Kishës katolike shënohen disa shenjtore me emrin Irenë, emër që tingëllon bukur e ka edhe kuptim të bukur. Vjen nga greqishtja e do të thotë ‘paqe’. Shën Irena, që kremton më 20 tetor Kisha katolike, është një nga më të njohurat, falë sidomos një gojëdhëne shumë prekëse e shumë popullore në vende të ndryshme të botës, ndonëse tingëllon si e pabesueshme.

Gojëdhëna tregon se Irena, e lindur në Portugali aty nga gjysma e shekullit VI, qe rregulltare në një kuvend virgjërash kushtuar Zotit. Ndonëse e thjeshtë e kokulur, ajo spikaste ndërmjet simotrave për bukurinë e rrallë të fytyrës e të trupit. Duke e soditur në Kishë, një i ri fisnik i vendit u dashurua çmendurisht me vajzën dhe bëri çmos të martohej me të. Irena i la të kuptojë se kjo ishte e pamundur, e jo pse e përbuzte, as pse nuk i pëlqente, por sepse kishe bërë një betim shumë më të lartë, të cilit duhet t’i qëndronte besnike. Si mori këtë përgjigje, djaloshi, sinqerisht i dashuruar, u dëshpërua aq, sa u sëmur rëndë. E prekur thellë nga ndjenja e dashurisë së krishterë, Irena shkoi ta vizitojë e i foli fjalë aq të frymëzuara, sa t’ia lehtësonte sëmundjen. E ai më pas u shërua plotësisht.

Por historia nuk mbaron me kaq. Një meshtar, rrëfyes i padenjë, i turbulluar nga bukuria e murgeshës së re, deshi ta bënte për vete pendestaren e tij. Si nuk ia doli mbanësh, sendërgjoi një hakmarrje të tmerrshme. I dha vajzës një pije misterioze. Pak ditë më pas, të gjithë nisën të shohin në trupin e saj të bukur, shenjat e shtatzënisë. Shkandulli mori dhen. I ra në vesh edhe djaloshit që i kishte kërkuar dorën e ai u zemërua aq, sa dërgoi një vrasës për t’ia marrë jetën, të cilën, sipas tij, nuk e meritonte, si gënjeshtare e pacipë që ishte. Vrasësi ia preu Irenës kokën, ndërsa trupin ia flaku në ujërat e një lumi. Rryma e mbarti trupin e Irenës deri në Tago, pastaj e bëri të ndalohej pranë qytetit Skalabis, ku jetonte xhaxhai i shenjtores, abat. I lajmuar në vegim për ngjarjen, Abati shkoi me procesion për të mbartur trupin e së vrarës.

Nuk qe aspak e vështirë të vërtetohej pafajësia e rregulltares së bukur, fajtore pa faj, martire e pastërtisë shpirtërore e fizike. Fundi i saj preku thellë gjithë qytetin, aq sa banorët vendosën t’ia ndërrojnë emrin, duke e quajtur Santarem, domethënë Shën Irenë. E thamë më sipër se kjo mbetet gojëdhënë pak e besueshme, gjithsesi populli e ruajti nga breznia në brezni për t’i thurë lavde virtytit të pastërtisë e të besnikërisë deri në vdekje ndaj premtimit të bërë para Zotit në elter, që vlen më shumë se jeta.








All the contents on this site are copyrighted ©.