Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik kishtar. Leximet biblike, të kësaj së diele të 29-të gjatë vitit kishtar, na propozojnë temën e marrëdhënies ndërmjet fesë dhe pushtetit politik, të marrëdhënies sonë me Zotin dhe me Cezarin apo Mbretin, temë kjo që është aktuale edhe për ne sot.
Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu (Mt22,15-21), përmban shprehjen e famshme: “jepini Cezarit atë që i takon Cezarit e Zotit, atë që i takon Zotit”. Vetëm Hyjit, pra, duhet t’ia kushtojmë jetën. Të krishterët kontribuojnë me ndershmëri në mbarëvajtjen e institucioneve shoqërore e civile, por këto nuk mund t’i kundërvihen Zotit, sikur të ishin vlera absolute.
Leximet biblike të kësaj së diele na mësojnë se ka vetëm një Zot e Atij, jo të tjerëve, duhet t’i japim llogari për jetën tonë. Monedha i takon Cezarit, por jeta jonë, vetëm Zotit. Çdo njeri është “shëmbëllesë e Zotit”, Atij vetëm duhet ti shërbejmë, Atij vetëm duhet t’ia dhurojmë jetën tonë. Autoriteteve njerëzore le t’u japim tatimet e t’ua paguajmë taksa, mirëpo, jetën e dinjitetin tonë si bijë të Zotit, së bashku me ndërgjegjjen dhe lirinë tonë, duhet ta mbrojmë e ruajmë si dhuratë të çmuar nga Hyji. Ka vetëm një Zot e asnjë pushtet njerëzor nuk mund ta zëvendësojë, sepse, përndryshe, kthehet në absolut e idhujtar. Si Cezarit asokohe, çdo të pushtetshmi të kësaj bote duhet t’ia respektojmë punën, me vetëdijen se Hyji edhe sot na kujton: “Unë jam Zoti, Hyji yt. Mos ki tjetër Zot pas meje”.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Is 45, 1. 4-6)
Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti për Kirin, të shuguruarin e vet: “Ia kapa të djathtën e tij për
t’i shtruar para tij popujt, për t’i vënë në ikje mbretërit, për t’i hapur para tij
dyert; edhe dyert para tij s’do të mbyllen.
Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit e të Izraelit, të të zgjedhurit tim, të thirra
ty me emrin tënd, të shënova megjithëse s’më njihje. Unë jam Zot e tjetër s’ka: përveç
meje Hyj tjetër s’ka! Të ngjesha në armë, megjithëse s’më njihje, që të dihet prej
lindjes në perëndim, se posë meje, askush tjetër s’është!” Fjala e Zotit.
Psalmi 96 (95)
Ref: Ty, o Zot, të qoftë nderi dhe lavdia!
_____________________________
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
_____________________________
Sepse i madh është Zoti,
tejet i denjë për t’u lavdëruar,
më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve,
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
_____________________________
Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij.
_____________________________
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
_____________________________
Leximi i dytë (1 Sel 1, 1-5)
Kemi para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Pali, Silvani dhe Timoteu: Kishës së Selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin
Zot. Paçi hir dhe paqe! Gjithmonë i falënderohemi Hyjit për ju të gjithë dhe vazhdimisht
ju kujtojmë në lutjet tona duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese
dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë.
Sepse, o vëllezër të dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, mbasi Ungjilli
ynë nuk erdhi ndër ju jo vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe
me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë
ndër ju për ju. Fjala e Zotit.
Ungjilli (Mt 22, 15-21)
Jepni Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë.
Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti
gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh
kush është kush: ti nuk këqyr ç’pozitë kanë njerëzit! Na thuaj, pra, si mendon ti:
a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatim apo jo?”
Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha: “Shtiracakë, pse po më sprovoni?
Ma tregoni monedhën e tatimit!”
Ata ia sollën një dinar. “E kujt është – u tha – kjo fytyrë e ky mbishkrim?”
“E Cezarit!” – i përgjigjën ata.
Atëherë Jezusi u tha: “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket
Hyjit.” Fjala e Zotit!
All the contents on this site are copyrighted ©. |