2017-10-19 16:48:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: katekizmi


Me rastin e botimit të edicionit të ri të Katekizmit të Kishës Katolike, me paraqitje të shkruar nga Papa Françesku, menduam të përqendrohemi, në emisionin e sotëm, në termin “katekizëm” e në kuptimin e tij.

         Fjala “katekizëm” rrjedh nga greqishtja, “katechein”, që do të thotë “ritingëlloj”. Kjo na bën  të kuptojmë menjëherë se katekizmi është rezonanca e fjalës së thënë, e Fjalës së Zotit. Folja ka edhe kuptimin e dhënies së mësimit me zë të lartë, e tregimit të diçkaje. Termi, siç e përdorim sot, tregon një formë mësimi fetar elementar e sistematik, por edhe një libër të veçantë apo një doracak të fesë së krishterë, përgatitur si mjet për katekizmin.

         Në kohën pasapostolike e patristike, katekizmi s’ishte tjetër, veçse mësimi themelor i fesë për katekumenët, pra, për të pagëzuarit, që dëshironin të thelloheshin në të vërtetat e fesë së krishterë. Njihen mirë, për shembull, leksionet e katekizmit të Shën Cirilit të Jeruzalemit. Homeli katekistike janë edhe ato të Teodorit nga Mopsuestia e të Shën Ambrozit. Në shekullin V bie institucioni i katekumenatit e termi katekizëm, që i referohet fjalës greke “katechein”, nuk përdoret më.

         Shpejt, ai do të zëvendësohet me termin “catechismus”, që do të bëhet i zakonshëm në shekullin XVI e do të përdoret gjerësisht në shekujt XVIII-XIX. Vazhdimisht, Kisha Katolike punon në mënyrë që katekizmi i saj të kujtojë gjithnjë e më tepër atë të krishterimit të origjinës e të mos mbetet vetëm në nivelin e intelektualëve të mirëfilltë.

         Më i njohuri ndër katekizmat e Kishës Katolike është ai i Papës Piu V, në vitin 1566, që u quajt edhe “Katekizmi Tridentin”, pasi u hartua sipas orientimeve të Koncilit me të njëjtin emër. Ndahet në katër pjesë, që kanë mbetur klasike edhe për librat e tjerë të këtij lloji: së pari, komenti i Simbolit të fesë, pra, i Besojmës së krishterë; së dyti, Sakramentet; së treti, 10 Urdhërimet e Tënzot apo Dekalogu dhe; së katërti, lutja “Ati ynë”. Kjo ndarje përvijon një strukturë “Besojmë-Urdhërime-Hir”, që është pjesë edhe e hartimit përfundimtar të Katekizmit, që mban emrin e Piut X. I miratuar në vitin 1912 mbeti për rreth 60 vjet tekst i përbashkët, i përkthyer në shumë gjuhë. Pas viteve ’60, librat e katekizmit vijuan të publikohen në gjuhë të ndryshme, nën përgjegjësinë e episkopateve lokale.

         Më 11 tetor 1992, me propozimin e Asamblesë së jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve të 1985-ës, Papa Gjon Pali II miratoi Katekizmin e Kishës Katolike (Catechismus maior), për hartimin e të cilit bashkëpunuan të gjitha Kishat lokale. Ky libër u shqyrtua nga një Komision, që drejtohej nga kardinali i atëhershëm Joseph Ratzinger, Papa i ardhshëm Benedikti XVI. Është tekst referimi për të gjithë Katekizmat në gjuhë të ndryshme e, edhe për atë të sotmin në gjuhën shqipe, përkthyer nga italishtja nga studentët dhe profesorët e Institutit Filozofiko-Teologjik të Seminarit Ndërdioqezan të Shkodrës.

         Katekizmi ka disa funksione. Ai është, para së gjithash, mjet për t’u njohur me fenë për të gjithë ata, që dëshirojnë të dinë për Krishtin e krishterimin. Gjithashtu, synon t’u shpjegojë traditën e fesë e përmbajtjen e saj të pagëzuarve. Funksioni i tretë i katekizmit është të jetë pikë referimi për rregullat e normat fetare. Si i tillë, ai bën pjesë në “Magjisterin” e Kishës, prandaj duhet miratuar nga autoritetet përkatëse. Së fundi, katekizmi favorizon jetën fetare në bashkësinë e krishterë. Është pra, “libri i jetës së fesë”, prandaj u flet si të vegjëlve, ashtu edhe të rriturve, në rrugën e tyre të ungjillëzimit të perhershëm, pra, të pjesëmarrjes aktive në jetën e bashkësisë e në përhapjen e Ungjillit të Krishtit, pas gjurmëve të Atij të Lumit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.