2017-10-19 13:59:00

Papa, metodistëve: së bashku në rrugën e bashkimit të plotë


Papa Françesku priti sot delegacionin e Këshillit Metodist Botëror. Iu referua Librit të Levitikut (Lv 25,10), në të cilin Zoti i thotë Moisiut ta shpallë jubile vitin e pesëdhjetë, që parashikon çlirimin e skllevërve. Iu referua edhe Dekretit “Unitatis redintegratio” të Koncilit II të Vatikanit, për të inkurajuar dialogun ndërmjet besimeve të ndryshme të krishtera në udhën e “dashurisë për të vërtetën, të bamirësisë dhe të përvujtërisë”.

         Ati i Shenjtë i takoi metodistët me rastin e 50-vjetorit të fillimit të dialogut me ta. “Jemi vëllezër, që, pas një ndarjeje të gjatë, janë të lumtur kur takohen e rizbulojnë sërish njëri-tjetrin”, u tha Papa.

         “Familjarët e tjerë të Zotit mund të na ndihmojnë t’i afrohemi më shumë Hyjit – shtoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar ftesën për shenjtërim të teologut John Wesley, themelues i lëvizjes protestante metodiste. - Ata mund të na nxisin të japim një dëshmi më besnike ndaj Ungjillit”. Fe e prekshme, që konkretizohet në dashurinë e në shërbimin për të varfërit, si përgjigje ndaj ftesës së lashtë të Fjalës së Zotit: “kumtoni në mbarë vendin çlirimin e të gjithë banorëve”.

         Është fjala për të njëjtën thirrje për shenjtëri, e cila, duke kërkuar një jetë në bashkim me Zotin, bëhet domosdoshmërisht edhe thirrje për bashkim me të tjerët. Që këtej, Papa Françesku nxiti për një bashkim më të madh, për të ngulur këmbë në fazën e re të dialogut mbi temën e pajtimit me Hyjin, të sigurtë se Shpirti i Shenjtë do të na udhëheqë drejt mrekullisë së bashkimit të vërtetë.

         Duhet të përgatitemi me shpresë, përvujtëri e impenjim konkret, shpjegoi Papa, për kohën kur, me ndihmën e Zotit, do të mund të jemi të pranishëm së bashku në thyerjen e Bukës Eukarestike. Të themi lutjen e Atynës, kërkoi së fundi Ati i Shenjtë, që Zoti të na japë “bukën e përditshme” në mbështetje të rrugës së re të përbashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.