2017-10-18 12:05:00

Papa: nuk e kemi alfabetin, për të folur me të vdekurit


Nuk e kemi alfabetin, që do të na mundësonte të flisnim me të vdekurit – këtë kujtoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, me temë “Lum të shuemët, që vdesin në Zotin” - duke i ftuar besimtarët të mendojnë vazhdimisht për fundin e tyre. “Po ju ftoj tani të mendoni për çastin e vdekjes sonë. Secili të mendojë për vdekjen e vet e ta përfytyrojë atë ças, kur Jezusi do të na marrë për dore e do të na thotë: “Ngreju! Eja pas meje!”. Atë çast do të marrë fund shpresa e do të nisë realiteti, realiteti i jetës së pasosur. Mendojuni mirë - vijoi t’i ftojë besimtarët Papa - vetë Jezusi do të na vijë pranë e do të na marrë për dore me dhembshuri, me butësi, me dashuri. Prandaj secili nesh ta përsërisë fjalën e Krishtit: “Ngreju, ngreju e eja, ngreju e ringjallu!”. Kjo porosia e Papës që, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme kujtoi se paraardhësit tanë patën guximin ta shikonin vdekjen sy më sy, sepse të mirëpërgatitur për orën kur do t’u trokiste në portë. Ndërsa sot nuk e kemi këtë përgatitje, na mungon alfabeti i duhur, nuk i gjejmë fjalët e nevojshme për misterin e vdekjes, që vijon të shtegtojë çdo ditë mes nesh e të na flasë me një gjuhë krejt të panjohur për të vdekshmit.








All the contents on this site are copyrighted ©.