2017-10-13 14:48:00

Papa, Komitetit të Sri Lankës: hir për mua, që vizitova vendin tuaj


Papa Françesku priti me përzemërsi të madhe në Sallën e Koncistorit në Vatikan, një grup prej rreth 50 besimtarësh nga Sri Lanka, anëtarë të Komitetit Organizator për vizitën baritore, që Ati i Shenjtë bëri në këtë vend në janar 2015.

         “Megjithëse dëshiroj që vizitorët të ndjehen si në shtëpinë e tyre”, u tha Papa, “nuk mund të barabitem me 40 elefantët, që më përshëndetën në rrugën nga aeroporti për në qytetin e Kolombos!” Ai i Sri Lankës, qe udhëtimi i shtatë apostolik i Atit të Shenjtë Bergoglio, i dyti në Azi, pas atij në Republikën e Koresë së Jugut, në një çast të rëndësishëm historik për vendin, siç e kujtoi vetë Papa:

         “Mundësia për të vizituar vendin tuaj ishte hir i veçantë për mua, në çastin kur, pas viteve të konfliktit e të vuajtjes, vendi luftonte për pajtimin dhe për shërimin e plagëve të tij. Mbeta thellësisht i mallëngjyer para numrit të madh të bashkëqytetarëve tuaj, me fe e kulturë të ndryshme, që erdhën të më përshëndesnin në aeroport e përgjatë rrugës për në Kolombo. Ishin shumë!”

         Ati i Shenjtë përshkoi etapat e udhëtimit të tij, duke përmendur “kremtimin e mrekullueshëm e prekës për kanonizimin e Shën Joseph Valz, misionarit të madh të Perlës së Oqeanit Indian, sigurisht çasti kulmor i kohës, që kalova me ju” e, pastaj, “turmën e madhe të mbledhur në lutje rreth shenjtërores së Zojës së Madhu, simbol mbrojtjeje e pajtimi për Sri Lankën”.

         Papa e falenderoi secilin prej anëtarëve të Komitetit Organizator për punën e bërë, e cila shpesh nuk dukej, por u mori atyre shumë kohë dhe energji:

         “Falenderoj edhe familjet tuaja, që bënë shumë sakrifica dhe ju inkurajuan në punë. Prania juaj e sotme, këtu, solli diçka nga atmosfera erëmirë e Sri Lankës në shtëpinë tonë e kështu, na bën të kujtojmë hiret e shumta hyjnore, që morëm së bashku në vendin tuaj”.

         Mendimi i fundit i Papës Françesku, para se të jepte bekimin, ishte për popullin e Sri Lankës dhe qeveritarët e saj, që ua besoi Zojës së Madhu, shenjtërorja e së cilës është më e frekuentuara e vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.