2017-10-11 11:44:00

Thirrje e Papës për paqen në botë e për Ditën e fatkeqësive natyrore


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku bëri dy thirrje: për paqen në botë, në 100-vjetorin e Zojës së Fatimës, si edhe për Ditën kushtuar mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore.

Të premten, më 13 tetor, përfundon kremtimi i 100-vjetorit të dukjeve të fundit mariane në Fatima të Portugalisë. “Me vështrimin kah Nëna e Zotit dhe Mbretëresha e Misioneve – theksoi Papa – i ftoj të gjithë që, sidomos gjatë muajit të tetorit, të thonë Rruzaren Shenjte për ndjetin e paqes në botë. Lutja prektë shpirtrat më zemërakë që ‘ta zhdukin dhunën nga zemra, nga fjalët dhe nga gjestet e tyre, duke krijuar bashkësi jo të dhunshme, që kujdesen për shtëpinë e përbashkët. Asgjë s’është e pamundur nëse i drejtohemi Zotit me lutje. Të gjithë mund të jenë zejtarë të paqes’”, citoi Ati i Shenjtë Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes, kremtuar më 1 janar 2017.

Po më 13 tetor, bie Dita ndërkombëtare për pakësimin e fatkeqësive natyrore. Papa Françesku bëri thirrje për mbrojtjen e gjithësisë, përmes kujdesit e ruajtjes së ambientit. “Inkurajoj institucionet dhe të gjithë ata, që kanë përgjegjësi publike e shoqërore – ngriti zërin Ati i Shenjtë – të promovojnë gjithnjë e më tepër një kulturë, e cila të ketë objektiv pakësimin e ekspozimit para rreziqeve dhe fatkeqësive natyrore. Veprimet konkrete, që synojnë studimin dhe mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët, mund t’i reduktojnë dalëngadalë rreziqet për popullsitë më të brishta”.








All the contents on this site are copyrighted ©.