2017-10-10 14:05:00

Papa në Mianmar dhe në Bangladesh: programi i udhëtimit


U publikua sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit, programi i udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Mianmar e në Bangladesh, ku Ati i Shenjtë do të shkojë nga 26 nëntori deri më 2 dhjetor.

Papa do të niset për në Mianmar, të dielën më 26 nëntor, pak para orës 22.00 evropiane. Akti i parë i vizitës së tij në vendin e Çmimit Nobel, Aung San Suu Kyi, do të jetë pritja në aeroportin ndërkombëtar të Yangon-it, të hënën, në orën 13.30. Të nesërmen, në Nay Pyi Taw, do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes në Pallatin Presidencial, ku Françesku do të takohet me autoritetet. Pasdite, fjalimi para shoqërisë civile dhe Trupit diplomatik e pastaj, kthimi me avion në Yangon. Paraditen e së mërkurës, 29 nëntor, Papa do të kryesojë meshën në Kyaikkasan Groun të Yangon-it. Pasdite parashikohen dy takime: i pari me Këshillin e Lartë “Sangha” të murgjërve budistë; i dyti, me ipeshkvijtë katolikë të vendit, në një sallë të katedrales së shën Marisë.

Të enjten, më 30 nëntor, Papa Françesku do të kremtojë meshën me të rinjtë në katedrale e në orët e para të pasdites do të niset për në Bangladesh. Këtu, pas ceremonisë së mirëseardhjes në aeroportin ndërkombëtar të Dhaka-s, Ati i Shenjtë do të vizitojë Memorialin e Martirëve të Kombit në Savar dhe do të nderojë Atin e Kombit në Muzeumin e Kujtesës së Bangabandhu-s. Në orën 18 vendore, parashikohet fjalimi para autoriteteve, shoqërisë civile dhe Trupit diplomatik.

Dita e premte, 1 dhjetor, do të ketë katër çaste të rëndësishme: mesha me shugurimin e disa meshtarëve, vizita në katedrale, takimi me ipeshkvijtë e Bangladeshit dhe takimi ndërfetar e ekumenik për paqen. Më 2 dhjetor, dita e fundit e udhëtimit apostolik, Papa do të bëjë një vizitë private në Shtëpinë e motrave të Nënë Terezës në Tejagon, ku do të takohet me klerin. Së fundi, përqafimi me të rinjtë në Kolegjin “Notre Dame” të Dhaka-s. Nisja nga aeroporti i qytetit parashikohet rreth orës 17.00 e mbërritja në Romë, në orën 23.00.








All the contents on this site are copyrighted ©.