2017-10-09 14:48:00

Superpope: një bluzë zyrtare për bamirësinë e Papës


Papa Françesku në versionin superhero, që fluturon për të sjellë vlerat e krishterimit në botë: ky është i ashtuquajturi “Superpope” (Superpapa), vepër e artistit romak Mauro Pallotta, në art Maupal, që në vitin 2014 u duk për herë të parë në rrugicat e Borgo Pio-s, pranë Vatikanit. Menjëherë u fshi, por sot, ky imazh, nga grafit në mur bëhet emblemë zyrtare e një nisme për të financuar edhe të ashtuquajturin “Obolo i Shën Pjetrit” (Lëmosha e Shën Pjetrit), pra, edhe bamirësinë e vetë Papës.

Me këtë imazh, shpjegon Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, është krijuar një bluzë zyrtare, që shitet në faqen internet “superpope.it”. Të ardhurat do të shkojnë për financimin e veprave të bamirësisë së Papës. Mbrapa bluzës janë shkruar disa fraza të Papës Françesku, e para prej të cilave i kushtohet mëshirës: “Mëshira është tipari i parë i Zotit. Është emri i Zotit”.

Bluza iu paraqit publikut me rastin e Romics, Panairit të librave vizatimorë të Romës, e pati shumë sukses. Atyre, që çuditen për këtë, imzot Viganò u përgjigjet kështu: “Në një botë ku gjithçka thuhet me zë të lartë, gjithçka është gri, gjithçka shpreh zemërim, kur ka ndonjë gjë, që na bën të buzëqeshim e na kthen pak dashamirësi është me të vërtetë ilaç kundër kësaj kulture të britmës e të rivendikimeve”.

E atyre që, në figurën e “superpapës” shohin një lloj desakralizimi të vetë Atit të Shenjtë, Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin u kujton se “në fund të fundit, Papa Françesku, që nga çasti i parë, u paraqit si bari, si udhëheqës, që ka nevojë për lutjen e popullit, në mënyrë që Zoti ta bekojë. Zgjodhi menjëherë afërsinë me njerëzit. Pa harruar që Papa Françesku ka folur shpesh për ata, që rrinë hundë e buzë, të cilët s’mund të jenë të krishterë. Pse? Sepse bota është shëlbuar nga Krishti. Nëse njeriu ecën në vazhdën e hirit, që e ka marrë si dhuratë, e di se problemet që has nuk janë fjala e fundit, nuk janë përvoja më e rëndësishme e jetës dhe se pas reve, dielli shkëlqen sërish. Njerëzimi i shenjuar nga hiri i Tënzot është plot ngjyra, plot gëzim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.