2017-10-06 16:01:00

Papa: oqeanet janë trashëgimi e përbashkët e familjes njerëzore


Papa Françesku i dërgoi një Letër, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali Pietro Parolin, Konferencës IV ndërkombëtare “Oqeani ynë. Një oqean për jetën” që përfundon sot në Maltë. Dokumenti iu dorëzua nuncit apostolik imzot Silvano Tomasi-t, anëtar i dikasterit të Vatikanit për Zhvillimin e Gjithanshëm i pranishëm në punimet e Konferencës.

Në Letër Ati i Shenjtë inkurajon përpjekjet që bëhet për zgjidhjen e disa problematikave urgjente siç është trafiku i qenieve njerëzore, skllavëria. kushtet çnjerëzore të punës në industrinë e peshkimit dhe të transportit tregtar, mundësitë e zhvillimit për komunitetet bregdetare, familjet e peshkatarëve dhe situata dramatike e ishujve që kërcënohen nga ngritja e nivelit të detit.

Oqeanet janë trashëgimi e përbashkët e familjes njerëzore – shkruan Papa-. Kujdesi për këtë trashëgimi nuk mund të injorojë ndotjen e oqeaneve nga plastika e mikro-plastika që hyn në zingjirin ushqimor, me pasoja të rënda për shëndetin e jetës detare dhe atë të njeriut. Duke cituar enciklikën Laudato Si, Papa Françesku pohon se nuk mund të rrimë indiferent para zhdukjes së barrierave të koralit – vende të privilegjuara për biodiversitetin detar – “që janë shndërruar në varreza nëndetare pa ngjyrë e pa jetë”.

Papa kujton se si në natyrë gjithçka është e ndërlidhur dhe e ndërvarur e se oqeanet mund të bëhen një “burim themelor në luftimin e varfërisë e në ndryshimet e klimës”, dy fenomene këto që janë ngushtë të lidhura mes tyre. Këndej kujtoi negligjencën e njeriut që i përdor oqeanet për zhdukjen e mbeturina toksike, si dhe përdor mjete të sofistikuara për nxjerrjen e mineraleve nga thellësitë e detit.

Oqeanet na kujtojnë – e përfundon Mesazhin Papa Françesku – nevojën e edukimit për një humanizëm të përbashkët, për ruajtjen e mbrojtjen e ambientin dhe formimin e të rinjve, të cilët nesër duhet të kujdesën për oqeanet dhe për të mirën e përbashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.